Murtezani-Doti: Procesi i Berlini për më shumë se një dekadë ka kontribuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal

Ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Londër mbajti takim bilateral me Ministrin e Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret të Mbretërisë së Bashkuar, Stiven Doti, në margjinat e Konferencës në nivel të lartë për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, njoftojnë nga MÇE.
Murtezani dhe Doti, theksojnë nga atje, shkëmbyen mendime lidhur me zhvillimet më aktuale politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e Procesit të Berlinit si kornizë kyçe politike dhe zhvillimore që për më shumë se një dekadë ka kontribuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjes ekonomike dhe përputhshmërisë me standardet evropiane.
“Ministri Murtezani theksoi rëndësinë e kësaj nisme si mekanizëm që mundëson projekte konkrete në fushat e infrastrukturës, tranzicionit energjetik, agjendës së gjelbër, lidhjes digjitale dhe kohezionit social, duke theksuar se Maqedonia e Veriut fuqishëm mbetet e përkushtuar në qëllimet e saja në Procesin e Berlinit dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit.
Theksi i veçantë gjatë bisedës u vendos në bashkëpunimin bilateral për zhvillim, i cili paraqet një nga shtyllat më të rëndësishme të partneritetit strategjik midis Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike, e cila gjatë dekadës së fundit ka rezultuar në zbatimin e me shumë se 160 projekteve të financuara nga buxheti britanik në fusha të ndryshme: nga qeverisja e mirë, administrata publike dhe sundimi i së drejtës, deri te promovimi i multikulturalizmit dhe gjithëpërfshirjes.
Njëkohësisht, u theksua bashkëpunimi i suksesshëm në kuadër të TWINNING projekteve me partnerët britanikë në fushat e reformës policore, kontrollit të ndihmës shtetërore dhe përforcimit të kapaciteteve institucionale për barazi dhe përfaqësim të drejtë. Ministri theksoi se mbështetja britanike në kohë krize, si gjatë krizës së migrantëve dhe pandemisë COVID-19, është dëshmi e miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm midis dy vendeve”, thonë nga atje.