Muhamet Elmazi prezanton planin për transformimin infrastrukturor të Sarajit: Ndryshimi nis nga themeli

Në Saraj, kandidati i koalicionit VLEN, Muhamet Elmazi, prezantoi sot pikën e parë të planprogramit të tij për periudhën 2025–2029, e cila ka të bëjë me infrastrukturën, që ai e cilësoi si themel të çdo zhvillimi.

Në konferencën për media, Elmazi tha se për shumë vite Saraji ka qenë i lënë pas dore, me rrjete të amortizuara ujësjellësi e kanalizimi, rrugë në gjendje të rëndë dhe mungesë të ndriçimit publik. Ai theksoi se plani i tij synon ta ndryshojë këtë realitet përmes investimeve strategjike që do të përmirësojnë jetesën e qytetarëve.

Ndër projektet e planifikuara janë hartimi i planeve urbanistike për çdo vendbanim, rindërtimi i rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimit, rregullimi i shtratit të lumit Bojanë–Gllumovë, asfaltimi dhe mirëmbajtja e rrugëve kryesore si bulevardi “Dardania” dhe rruga industriale “Ibrahim Krosi”, si dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse dhe alternative që do të lehtësojnë qarkullimin.
Në mesin e projekteve madhore Elmazi përmendi rrethrrotullimin e Sarajit, urën e Llokës, Kompleksin Sportiv-Rekreativ “Berlin Arena” dhe Kompleksin e ri Administrativ të Komunës së Sarajit. Po ashtu, ai paralajmëroi ndriçim publik në çdo vendbanim, vendparkime publike në Saraj dhe Matkë, kabina pritjeje për autobusë dhe kënde lojërash për fëmijët.

Sipas tij, financimi i këtyre projekteve do të sigurohet nga qeveria, fondet e Bashkimit Evropian, donacionet ndërkombëtare dhe buxheti lokal.

“Ky është vetëm hapi i parë i planit tonë për ndryshim të madh dhe të thellë. Me punë dhe transparencë, do ta kthejmë Sarajin në një vend ku jetesa është e denjë dhe perspektiva e qartë,” u shpreh Elmazi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button