MSH: Për herë të parë rregullohen të gjitha produktet e nikotinës me projektligjin e ri për mbrojtjen nga duhani

Projektligji i ri për mbrojtjen nga duhani parashikon rregullimin e të gjitha produkteve të nikotinës, përfshirë cigaret, cigaret elektronike (me dhe pa nikotinë), produktet e duhanit që ngrohen, produktet e nikotinës pa tym, si dhe produktet që imitojnë pirjen e duhanit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga atje thonë se qëllimi është të rregullohet përdorimi edhe i produkteve të reja të nikotinës, duke pasur parasysh se ato krijojnë tym ose aerosol me substanca të dëmshme dhe, sipas hulumtimeve të fundit, shpesh krijojnë varësi të lehtë.
Gjithashtu, theksojnë nga MSH, parashihet ndalim i prodhimit, importit dhe shitjes së produkteve të nikotinës me shije frutash, ëmbëlsirash, mentoli, bimësh dhe shije të tjera, për të cilat konsiderohet se e lehtësojnë përdorimin e parë dhe e përshpejtojnë krijimin e varësisë. Kjo përfaqëson një nga masat më të forta parandaluese edhe në vendet evropiane.
“Qëllimi kryesor i këtij segmenti të ligjit është mbrojtja e shëndetit të popullsisë së re, për të cilën hulumtimet më të fundit tregojnë se ndër nxënësit e moshës 13 deri në 15 vjeç, gjithsej 9,0% aktualisht përdorin cigare elektronike, ndërsa 4,9% përdorin produkte të duhanit që ngrohen, dhe 10,6% kanë deklaruar se i kanë përdorur ndonjëherë.”, – shpjegon ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Njëkohësisht, projektligji për mbrojtjen nga duhani është i harmonizuar me politikat globale të shëndetit publik dhe me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë përmes Konventës Kornizë për Kontrollin e Duhanit. Ai vendos një sistem gjithëpërfshirës që ndjek parimet kryesore të konventës: mbrojtje nga ekspozimi ndaj tymit, kufizim të marketingut dhe promovimit, parandalim të ndikimit të industrisë përmes sponsorizimeve, kontroll të qasjes dhe masa parandaluese si dhe mbështetje për lënien e duhanit.



