MPJ: Nuk është e vërtetë se Ministria do të shpenzojë mbi 900 mijë euro për veturat me qira

Lidhur me prokurimin e automjeteve për nevojat e delegacioneve të larta që do të mbërrijnë në vend për Këshillin Ministror të OSBE-së ka reaguar MPJ-ja duke theksuar se nuk është e vërtet se MPJ do të shpenzojë mbi 900 mijë euro për veturat me qira.
“Nuk është e vërtetë se Ministria do të shpenzojë mbi 900 mijë euro siç pretendohet në media për marrjen me qira të automjeteve. Bëhet fjalë për marrëveshje kornizë dhe nga ofertuesit kërkohet të përcaktojnë çmimin e qirasë për ditë dhe për automjet. Kjo do të thotë se vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha kapacitetet institucionale vendase dhe automjetet në dispozicion, një numër i caktuar i automjeteve të munguara do të merren me qira. Ministria planifikon intensivisht dhe siguron automjete nga institucionet, por për shkak të standardeve të parashikuara nga OSBE-ja, është e nevojshme që të ketë një opsion rezervë nëse të njëjtat nuk sigurohen. Sipas analizës së deritanishme, gjysma e automjeteve të nevojshme tashmë janë konfirmuar dhe do të sigurohen nga institucionet, që do të thotë se i gjithë buxheti i planifikuar nga Marrëveshja Kornizë nuk do të shpenzohet. Parashikimet janë që nuk do të shpenzohen as gjysma e mjeteve nga korniza financiare”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.



