Mosdorëzimi është shpresë

Shkruan: Iljasa Salihu, Shkup

Botimi i një libri është maratonë më vete. Aq më tepër kur një vrapues maratonist merr përgjegjësi të shkruajë një libër, duke e gërshetuar kështu maratonën me gjithë vështirësitë, kënaqësitë dhe dobitë e saj me rrëfimet që do të shprehen në libër, si një kronikë në gur që mund ta duroj burrërisht edhe vuajtjen më të thellë. Ky libër mund të lexohet me një frymë, prej të cilit mund të fitosh frymëzime të ndryshme. Çështja shkon e bëhet edhe më tërheqëse, kur për këtë libër ju shkruan dhe ju lexon njeriu që ka përjetuar me ashk e me afsh maratonën dhe botimin e librave! Autori i librit, z. Hamim Çilafi, në librin e tij të parë, dhëntë Zoti të mos jetë i fundit, rrëfen vuajtjen, sfidat dhe sfilitjet e tij në jetë në një formë jo mallëngjyese dhe tepër pozitive, për të përçuar ëmbëlsisht porosi të dobishme për ata që nuk përtojnë të lexojnë. Edhe të keqes i qaset në një mënyrë të mirë. Ai përvojën dhe përvuajtjen i përkthen në porosi të çmuara. Nuk vjell vrer, nuk shfryhet, as nuk shpërfaqë mllef, por përmes librit të tij na motivon, na përuron mosdorëzimin, ngaqë siç thotë, mosdorëzimi është shpresë e unë do të thosha se shpresa është pikënisje për çdo zhvillim dhe përparim. Ajo që është më e bukura, librin nuk e privon nga mëlmesat artistike.
Hamim Çilafi përmes librit të tij “Versioni më i mirë i vetes” mjeshtërisht mugullon nxitje të ngritjes së vetëdijes dhe për sukses që paraprihet prej mosdorëzimit. Me ngulm kërkon veten, hulumton versionin më të mirë të mundshëm për veten, sepse gjithçka fillon nga vetja, apo thënë më ndryshe çdo gjë fillon nga brendësia e vetjeve tona. Ai nuk akuzon, por këshillon përmes vetë shembullit të tij. Në libër na tregon se njeriu për të arritur sukses nuk duhet t’i pres kushtet të piqen, ngaqë nga pritja ato mund edhe të digjen, por kushtet i vë në shërbim të veprimit dhe jo fatin e veprimit në shërbim të kushteve. Pastaj, me kalimin e kohës vetë kushtet detyrohen të bëjnë kërkesë që t’ju bashkangjiten veprimit. Për ndryshe, po t’i priste kushtet për sport, Hamimi sot do të duhej ta merrte një çmim si pritësi më i devotshëm i kushteve, por nuk do ta hedhte as një hap drejt vrapit a lëvizjeve të ndryshme në jetë. Jetëshkrimi i tij do të ishte i zbrazur. Gjurmët në jetën e tij do t’i ngjanin gjurmëve që njeriu lë në afërsi të brigjeve të detit, ku me dallgën e parë do të shlyhet gjithçka. Autori kur tregon raste e shembuj nga sporti si një maratonist i suksesshëm, nuk e ka për qëllim vetëm sportin si sport, por sportin si sinonim i jetës. Ti nuk mund të arrish asgjë në jetë, nëse nuk e hedh hapin e parë. Kinezët thonë se edhe qindrat e kilometrave fillojnë nga hedhja e hapit të parë. Vetë maratona është një analogji e jetës. Duhet të përgatitesh, ta flijosh një pjesë të kohës, të guxosh t’i futesh garës, të lodhesh e mundohesh përgjatë vrapimit, por në fund sheh se ia del mbanë, fiton dhe pas dushit të ftohtë, hormonet e lumturisë ia japin vallës plot kënaqësi. Kush e ka përjetuar, me siguri të plotë do të shprehet se në ato çaste vetja të duket si më i lumturi në botë, mbase vetë bota do të duket se është krejt e jotja. Pikërisht në kohën kur njeriu i sotëm me të madhe ka humbur nxitjen për sukses dhe gjëra pozitive, autori na paraqitet me këtë libër motivues që në spikamë ka nxitjen për punë të mira, ngritjen e fitilit për pak dritë, përurimin e punës vullnetare, meritimin e të ardhurave, ngaqë vetëm kështu pasuria mund të ketë bereqet, për fjalë të matura e ton të ulët të zërit, mu sikurse vrapit që i mungon zëri, por i mugullon fuqia e shëndeti i mirë, na thërret në përpjekje titanike dhe përgjithësisht fjalës S’MUNDEM fton t’i hiqet shkronja S, ngaqë kjo është e mundur, vetëm se fillimisht duhet të besosh. Në këtë libër mes rreshtash, mësojmë se limonin duhet të mos e urrejmë për shkak të thartësisë që ka, por të gjejmë vullnet, t’i hedhim pak sheqer limonit e kështu të gëzohemi së pirë limonadë. Mbase vetë shpikësi i limonadës do të duhej të kishte qenë njeri me shumë energji të mirë dhe mendim pozitiv, saqë tashmë përshtypja për limonin përkapet si një frutë i ëmbël, edhe pse natyrshëm është frutë i thartë. Krejt në fund në këtë kënaqësi të pafundme, autorin e këtij libri e përgëzojmë për këtë guxim dhe për këtë ndërmarrjeje të dobishme, duke i uruar botime të reja dhe njëherësh lajme e sihariqe të mira nga jeta private.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button