Mjekja e foshnjës palestineze që u bë simbol i urisë në Gaza i përgënjeshtron pretendimet e Izraelit

Mjekja e një fëmije palestinez 1,5 vjeç me emrin Muhamed Zekeriya Ejub el-Matuk, për të cilin Izraeli mohon se është dobësuar nga uria, ka deklaruar se pretendimet e Izraelit nuk pasqyrojnë realitetin dhe se foshnja vuan nga kequshqyerje e rëndë.
Fotografia e foshnjës palestineze, që është dobësuar deri në kockë prej urisë, u realizua në shtratin e spitalit nga fotografi i lirë i Agjencisë Anadolu, Ahmed Jihad Ibrahim al-Arini.
Kjo fotografi, duke zbuluar dramën njerëzore të shkaktuar nga rrethimi dhe sulmet izraelite në Gaza, bëri bujë të madhe në mediat ndërkombëtare.
Për shkak të kequshqyerjes akute, vogëlushi Matuk ka rënë në vetëm 6 kilogramë dhe nëna e tij mundohet t’i qetësojë të qarat e dobëta me të vetmin ushqim që ka në dorë – ujin.
Foshnja palestineze është bërë simbol i mbi 2 milionë palestinezëve që po luftojnë me urinë dhe sëmundjet si pasojë e përshkallëzimit të rrethimit dhe sulmeve nga Izraeli në Gaza.
Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që nga 7 tetori 2023 kanë humbur jetën 147 palestinezë si pasojë e urisë dhe kequshqyerjes, përfshirë 88 fëmijë.
– Doktoresha flet për AA pas ekzaminimit
Në Spitalin e Miqve të Pacientëve në Qytetin e Gazës, ekspertja e Ushqyerjes Klinike, Dr. Suzan Maruf, pasi përfundoi kontrollin e foshnjës, tha për AA se Matuk ka zhvilluar “probleme shëndetësore si sindroma e muskujve të dobët në tru për shkak të kequshqyerjes së rëndë”.
“Për shkak se Izraeli ka ndaluar hyrjen e ushqimeve plotësuese në Gaza, Muhamedi po vuan nga mungesë e rëndë ushqimi”, thotë ajo.
Ajo theksoi se në janar, Matuk kishte pasur një nivel mesatar të kequshqyerjes, por me suplementet që kishin në dispozicion atëherë, gjendja e tij ishte stabilizuar.
“Në janar 2025, po ndihmonim fëmijët me suplementet që kishim. Por pasi kalimet kufitare u mbyllën, ndodhi një uri e madhe dhe gjithçka mbaroi”, tha ajo, duke shtuar se, me shterimin e suplementeve, gjendja e bebes palestineze filloi të përkeqësohej.
Sipas saj, kjo fazë e kequshqyerjes ka çuar në probleme serioze shëndetësore që rrezikojnë jetën e fëmijës.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit, një e katërta e popullsisë në Gaza përballet me kushte urie dhe 100 mijë gra e fëmijë palestinezë përballen kequshqyerje të rëndë.
– Fëmijët janë viktimat më të mëdha
Dr. Maruf tha se që nga fillimi i vitit 2024, me përhapjen e urisë në Rripin e Gazës, edhe termi “kequshqyerje” po bëhet gjithnjë më i zakonshëm.
Ajo theksoi se Izraeli po ndjek një politikë urie ndaj fëmijëve në Gaza dhe shumica e tyre tani vuajnë nga mungesa e ushqimit. Ajo shtoi se spitali ku punon ka tentuar të ndihmojë me suplemente, por mbyllja e hyrjeve të ilaçeve dhe ushqimeve e ka përkeqësuar gjendjen.
Doktoresha theksoi se përveç mungesës së suplementeve dhe ushqimit për foshnjat, në spitale nuk ka as shtretër për të trajtuar të sëmurët apo të plagosurit.
Nëna e Muhamedit, Hidaye el-Matuk, tha se djali i saj ka humbur rreth 3 kilogramë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes së rëndë.
Ajo rrëfeu se foshnja kishte marrë diagnozën e sindromës së muskujve të dobët tre muaj pas lindjes dhe kishte pasur probleme në tru, por pas muajsh trajtimi kishte filluar të ecë. Megjithatë, për shkak të urisë që pasoi ndalimin e ndihmave nga Izraeli, ai ka rënë përsëri në gjendjen e mëparshme.
“Mbyllja e pikave kufitare nga Izraeli ishte krimi më i rëndë i luftës gjenocidale. Me këtë veprim, shumica e popullsisë palestineze në Gaza është dënuar me uri ekstreme”, tha nëna palestineze.
El-Matuk, e cila ka humbur edhe bashkëshortin në rrethimin dhe bombardimet 22-mujore izraelite, tha: “Që nga dita kur Izraeli mbylli pikat kufitare, ndihmat humanitare nuk arrijnë më te ne dhe nuk i kemi as mundësitë për t’i mbajtur fëmijët tanë gjallë”.
El-Matuk tregoi se për ta mbajtur gjallë djalin e saj Muhamedin, i ka dhënë supë thjerrëze dhe makarona të siguruara nga kuzhinat popullore. “Ato nuk ishin ushqime të shëndetshme për një foshnjë, por nuk kishim asgjë tjetër për ta ushqyer”, tha ajo.
Ajo shtoi se foshnja e saj është vetëm një nga mbi një milion fëmijë që nuk mund të gjejnë as qumësht, as ushqim nën bllokadën dhe bombardimet izraelite në Gaza.
“Izraeli po bën luftë ndaj familjeve palestineze përmes fëmijëve. Ai i lë prindërit të pafuqishëm për të shpëtuar fëmijët që po vdesin para syve të tyre”, tha ajo.
Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë në Gaza, numri i kamionëve me ndihma që kanë hyrë në Gaza pas bllokadës së ashpër nuk ka kaluar mbi 87.
Izraeli pretendoi më 27 korrik se ka lejuar hyrjen e ndihmave, por drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Munir el-Bersh, deklaroi se ndihma që erdhi ishte shumë e vogël dhe nuk përmbante as ilaçe, as suplemente ushqimore.
Më 21 korrik, Ross Smith, drejtor i Përgatitjes dhe Reagimit Emergjent në Programin Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së, deklaroi se një e katërta e popullsisë së Gazës po përballet me uri. Ai tha se rastet e kequshqyerjes akute po rriten me shpejtësi dhe se afro 100 mijë gra dhe fëmijë kanë nevojë urgjente për trajtim për shkak të kequshqyerjes akute të rëndë.