Mjekësia ligjore njofton shkakun e vdekjes së 59 viktimave në diskotekën e Koçanit

Tek të gjitha 59 viktimat, shkaku i vdekjes është i dhunshëm dhe ka ndodhur për shkak të asfiksisë së dhunshme, e cila është në lidhje të drejtpërdrejtë me zjarrin. Tek disa prej tyre janë gjetur djegie të shkallës së parë ose të dytë, ndërsa tek tre persona janë evidentuar djegie të shkallës së katërt, megjithatë shkaku i vdekjes mbetet asfiksia, informoi sot kreu i Mjekësisë Ligjore, Aleksandar Stankov, lidhur me autopsinë e trupave të të ndjerëve në diskotekë.
Gjatë muajit mars, tha ai, pritet të përfundojnë të gjitha raportet në lidhje me autopsitë e kryera. Do të nevojitet kohë për analizat toksikologjike.
“Monoksidi i karbonit është një gaz shumë i rrezikshëm. Vdekja mund të ndodhë shumë shpejt, në varësi të përqendrimit të tij. Në atë hapësirë me një tym të tillë, vdekja mund të ndodhë shumë shpejt dhe i bën viktimat të paafta për të ikur. Pamundësia për të lëvizur. Sipas gjetjeve makroskopike, tek shumica e viktimave është identifikuar prania e monoksidit të karbonit. Zakonisht, në raste të tilla, ndonëse jo në këtë shkallë, dimrit kemi raste të ngjashme ku viktimat gjenden ose në shtrat ose pranë derës, duke u përpjekur të shpëtojnë”, tha Stankov.
Lidhur me identifikimin e viktimave, ai tha se metoda e përdorur ishte vetëm orientuese dhe në disa raste kishte pasur gabime në emrat, prandaj u bë verifikimi disa herë.
“Për të siguruar drejtësinë dhe një proces të plotë gjyqësor, duhet të respektohen rregulla të caktuara. Ne i respektojmë ato rregulla. Nuk mund të kryejmë identifikim apo të përcaktojmë shkakun e vdekjes vetëm me një ekzaminim të thjeshtë. Duhet të kryhet një autopsi e plotë”, njoftoi Stankov.
“Nëse po pyesni për lëndime nga rënia e trarëve ose objekteve të rënda, të tilla nuk ka. Por, ka dëmtime dhe fraktura të brinjëve si dhe shenja të shtypjes që kanë çuar në asfiksi për shkak të shtypjes gjatë një paniku masiv tek katër persona. Nuk do të hyj në detaje pasi ende nuk i kemi përfunduar të gjitha analizat. Ekzistojnë fraktura të brinjëve dhe shenja të presionit që kanë shkaktuar asfiksi”, shtoi drejtori i Mjekësisë Ligjore.



