Misteri me “qentë e kaltër” në Ukrainë, të parë pranë zonës së katastrofës bërthamore në Çernobil

Qentë me qime ngjyrë blu janë parë për herë të parë pranë zonës së katastrofës bërthamore të Çernobilit në Ukrainën veriore, duke habitur kujdestarët dhe shkencëtarët që kujdesen për ta.
Grupi “Qentë e Çernobilit”, i cili kujdeset për kafshët endacake në zonë që nga viti 2017, publikoi në rrjetet sociale, ku duken disa qen me ngjyrë të pazakontë blu që enden në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit.
“Nuk e dimë ende arsyen, por po përpiqemi t’i kapim për të zbuluar se çfarë po ndodh,”, thuhet në përshkrimin e postimit, ku shpjegohet se ndryshimi i ngjyrës ka ndodhur kohët e fundit.
Sipas kujdestarëve, qentë mund të kenë rënë në kontakt me një substancë kimike, por ata theksojnë se kafshët duken aktive dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Më 26 prill 1986, shpërthimi i njërit prej reaktorëve në centralin bërthamor të Çernobilit, pranë qytetit Pripyat, lëshoi në atmosferë sasi të mëdha materiali radioaktiv, ndërsa banorët u evakuuan me urgjencë.
Qentë që shihen sot në zonë janë pasardhës të kafshëve shtëpiake të braktisura pas katastrofës, të cilët kanë jetuar dhe shumuar për breza të tërë në një ambient ku niveli i rrezatimit është gjashtë herë më i lartë se ai që mund ta përballojë një njeri.
Një studim i vitit 2023, i udhëhequr nga Norman J. Kleiman, shkencëtar i shëndetit mjedisor në Universitetin e Kolumbias, analizoi materialin gjenetik të 116 qenve në zonë dhe zbuloi ndryshime të dukshme gjenetike midis tyre dhe qenve të tjerë në pjesën tjetër të Ukrainës.
Sipas Kleiman, këto ndryshime tregojnë se kafshët kanë evoluar gjenetikisht për t’u përshtatur me mjedisin toksik ku jetojnë.
“Në një farë mënyre, dy popullata të vogla qensh kanë arritur të mbijetojnë në këtë mjedis jashtëzakonisht toksik,”, shpjegoi Kleiman.
Studimi identifikoi 52 gjene që mund të lidhen me ekspozimin ndaj ndotjes mjedisore në centralin bërthamor. Sipas autorit, ky hulumtim mund të ndihmojë në kuptimin e efekteve të ekspozimit afatgjatë ndaj rrezatimit dhe në mënyrën se si mund të zbuten më mirë rreziqet shëndetësore për njerëzit dhe kafshët.



