Miratimi i ligjit për shkollat fetare, Medreseja “Isa Beu”: Kjo është ditë historike

Me 80 vota pro, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi sot Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, duke hapur një kapitull të ri për arsimin fetar në vend. Ky vendim historik i jep Medresesë “Isa Beu” akreditim të plotë dhe e vendos atë në të njëjtin status ligjor dhe akademik me të gjitha shkollat e mesme të akredituara në shtet.

Në një reagim zyrtar të publikuar nga Bashkësia Fetare Islame në RMV, ky moment u cilësua si një “ditë historike”, që shënon një fitore të madhe për barazinë në arsim dhe afirmimin e të drejtave të nxënësve të shkollave teologjike islame.

“Nga shtatori 2025, nxënësit e Medresesë ‘Isa Beu’ do të gëzojnë të njëjtat të drejta, privilegje dhe status si maturantët e çdo shkolle tjetër të mesme në vend. Ky është një moment i artë për arsimin fetar dhe për shoqërinë tonë në tërësi,” theksohet në reagimin e BFI-së.

Institucioni islam falënderoi me mirënjohje të gjithë kontribuuesit në këtë arritje:

Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për mbështetjen politike dhe institucionale

Kryeministrin për vizionin dhe përkushtimin

Zëvendëskryeministrin për angazhimin e palëkundur

Ministren dhe Zëvendësministrin e Arsimit për mbështetjen teknike dhe bashkëpunimin

Deputetët e Kuvendit që mbështetën me votë këtë ligj

BFI-në dhe Kryetarin e saj për përkushtimin afatgjatë dhe drejtimin e procesit

Ky zhvillim vjen pas shumë viteve përpjekjesh, diskutimesh dhe kërkesash për barazi në sistemin arsimor për institucionet me karakter fetar, dhe për herë të parë i hap rrugën akreditimit të plotë të një institucioni arsimor islam në nivel të mesëm në RMV.

“Ky është një hap gjigant përpara për të rinjtë tanë dhe për një arsim më cilësor, gjithëpërfshirës dhe të drejtë. Ta gëzoni, medresantë! Ky është suksesi juaj!” përfundon deklarata entuziaste e BFI-së.

Vendimi pritet të ketë ndikim të gjerë jo vetëm për komunitetin islam, por edhe si precedent për avancimin e të drejtave të bashkësive fetare në jetën publike, arsimore dhe kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button