Ministria izraelite e Mbrojtjes paraqet plan më të lirë dhe më të shpejtë për ‘kampin e përqendrimit’ në Gaza

Ministria izraelite e Mbrojtjes i ka paraqitur kryeministrit Benjamin Netanyahu një vlerësim të përditësuar të kostos për krijimin e të ashtuquajturës “qytet humanitar” për palestinezët në pjesën jugore të Rripit të Gazës, raportoi Radioja Ushtarake izraelite.
Sipas raportit, plani i fundit vlerësohet të kushtojë 4 miliardë shekel (rreth 1.2 miliardë dollarë), ndërsa ndërtimi i vendbanimit – i cili do të përfshinte tenda, energji elektrike, ujë dhe ushqim – do të zgjaste rreth dy muaj.
Raporti vjen mes kritikave të gjera ndaj këtij projekti izraelit, i cili do të zhvendoste 600,000 palestinezë tashmë të dëbuar në një copë të vogël toke në jug të Gazës – një plan që kritikët e cilësojnë si krijim të një “kampi përqendrimi” dhe një akt pastrimi etnik.
Versioni i parë i kësaj ideje, i propozuar nga ministri i Mbrojtjes Israel Katz në fillim të këtij muaji, ishte vlerësuar të kushtonte mes 2.7 dhe 4 miliardë dollarë, sipas zyrtarëve të lartë për mediat izraelite.
Sipas dy zyrtarëve që folën për agjencinë Reuters, Netanyahu e hodhi poshtë propozimin fillestar duke e konsideruar shumë të shtrenjtë dhe të komplikuar, dhe urdhëroi ushtrinë të hartojë një version më të lirë dhe më të shpejtë. /Al Jazeera/



