Ministria e Mjedisit i përgjiget BDI-së: Izet Mexhiti si ministër i ka të gjitha kompetencat nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta

“Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të pranojë faktin se populli shqiptar ia ka marrë të drejtën për të qeverisur pas 22 vitesh dështimesh të njëpasnjëshme, keqmenaxhimi dhe korrupsioni masiv”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Izet Mexhiti, si ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqësues i Lëvizjes Demokratike dhe koalicionit VLEN, i ka të gjitha kompetencat e dhëna nga qytetarët, Ligji dhe Kushtetuta për të udhëhequr institucionet me kapacitet të plotë dhe për të realizuar projekte në të mirë të qytetarëve në mbarë vendin, ndryshe nga BDI-ja, e cila i shfrytëzoi për pasurimin e elitës së saj dhe familjeve të tyre, mbi kurrizin e shqiptarëve.
BDI-ja nuk mund ta pranojë faktin që Izet Mexhiti, për vetëm 6 muaj në qeveri, ka realizuar projekte për të cilat ata nuk kishin menduar për 22 vjet.
Bashkimi Demokratik për Integrim për 22 vite nuk e ka kuptuar se organet qeveritare, si ministritë, nuk drejtohen me letra të arkivuara, por me ligje dhe Kushtetutë. Këtë nuk e mësuan për 22 vite në pushtet, por tani në opozitë kanë mundësinë të mësojnë se si qeveriset shteti.
Mandatin do ta vazhdojmë me korrigjimin e politikave të gabuara 22-vjeçare të BDI-së, të cilat lanë plagë në të gjitha institucionet në nivel lokal dhe qendror.
BDI-së në opozitë i mbetet e vetmja kompetencë – të lejojë njerëzit nga lista e zezë amerikane të vazhdojnë të kontrollojnë kanalet e tyre të komunikimit me publikun.
Së fundmi, sa i përket kompetencave që përmend BDI-ja, i kujtojmë se autorizimet mbi inspektoratet, të cilat iu hoqën para 10 vitesh, kjo qeveri i ka kthyer në ministritë përkatëse ku edhe i takojnë. Për këtë, BDI-ja nuk guxoi të thoshte asnjë fjalë në atë kohë, nga frika se mos humbiste përfitimet e një grupi njerëzish brenda rrethit të saj. Tani, këto inspektorate janë sërish nën juridiksionin e ministrive, me vendim të qeverisë aktuale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.