Ministri Muryezani zhvillon takim me Delegacionin e shtetit federal gjerman të Bavarisë

Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot në ambientet e Ministrisë së Çështjeve Evropiane realizoi takim me Delegacionin e shtetit federal gjerman të Bavarisë, të udhëhequr nga Gerhard Hop, anëtar i Komisionit për Evropën në Parlamentin Rajonal të Bavarisë.
Në fokus të takimit me Delegacionin Bavarez ishin aktivitetet e Maqedonisë së Veriut që dalin nga procesi i aderimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi i deritanishëm me Bavarinë dhe më gjerë me Gjermaninë, si dhe mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e tij në periudhën e ardhshme. Të dyja palët konstatuan se Gjermania është mbështetëse e dëshmuar dhe e besueshme e proceseve integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehën bindjen se mbështetja e tillë nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.
“Ministri Murtezani shkurtimisht i njoftoi anëtarët e Delegacionit me kompetencat e ministrit të Çështjeve Evropiane. Ai, gjithashtu, iu referua edhe ndihmës së ofruar nga qeveria gjermane në momentet vendimtare të së kaluarës së afërt, si për shembull, gjatë krizës së Kovid-19 të vitit 2020, por edhe në krizën e emigrantëve të vitit 2025. Ministri Murtezani theksoi se sivjet e shënojmë 25-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bavarisë të nënshkruar në vitin 1999 dhe 40-vjetorin e bashkëpunimit të rëndësishëm ndërmjet qyteteve të vëllazëruara të Shkupit dhe Nurenbergut”, thuhet në njoftimin e Mimistrisë.
Gjatë takimit, të dyja palët shkëmbyen informacione për më shumë tema me interes të ndërsjellë, duke përfshirë arsimin, bashkëpunimin me të rinjtë, bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë, etj.