Ministri izraelit Smotrich kërkon që plani i Trumpit për Rripin e Gazës të anulohet

Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich bëri thirrje sot të anulohet plani i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Rripin e Gazës, duke nxitur zhvendosjen me forcë të palestinezëve dhe ndërtimin e vendbanimeve izraelite në enklavë, raportuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Sipas planit të Trumpit, një armëpushim hyri në fuqi më 10 tetor pas një lufte brutale izraelite që ka vrarë më shumë se 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.

Smotrich foli gjatë inaugurimit të një vendbanimi në Bregun Perëndimor të pushtuar, ku falënderoi Trumpin për atë që e quajti “mbështetje të madhe për Izraelin” dhe vullnet të mirë, tha gazeta “Haaretz”.

Ai ia atribuoi Trumpit ndihmën në sigurimin e kthimit të pengjeve izraelite nga Gaza, por tha se plani dëmton Izraelin dhe duhet të revokohet.

“Gaza është e jona”, tha Smotrich, kreu i partisë së ekstremit të djathtë “Sionizmi Fetar”, duke pretenduar se e ardhmja e territorit do të prekte Izraelin më shumë se kushdo tjetër. Ai tha se Izraeli duhet të vendosë sundim ushtarak, që përbën pushtim dhe të “përfundojë misionin”, raportoi “Haaretz”.

Smotrich bëri thirrje për çmontimin e një qendre të përbashkët koordinimi civil-ushtarak me seli në vendbanimin jugor izraelit të Kiryat Gat, e cila mbikëqyr zbatimin e planit të Trumpit. Qendra u krijua në tetor nga Komanda Qendrore e SHBA-së dhe përfshin përfaqësues nga dhjetëra vende dhe organizata ndërkombëtare.

Ministri izraelit bëri thirrje për përjashtimin e asaj që ai e përshkroi si “vende armiqësore”, përfshirë Egjiptin dhe Britaninë, nga qendra e komandës, raportoi “Haaretz”.

Ai i bëri thirrje Hamasit të çarmatoset dhe të tërhiqet nga Gaza brenda një afati të shkurtër, duke paralajmëruar se nëse ky afat skadon, Izraeli duhet të sulmojë Gazën me forcë të plotë dhe të shkatërrojë Hamasin në aspektin “ushtarak dhe civil”.

Ministri ekstremist bëri thirrje për rihapjen e pikës kalimtare të Rafah, të cilën Izraeli e kontrollon nga ana palestineze, me ose pa miratimin e Egjiptit dhe për t’u lejuar banorëve të Gazës të largohen dhe të kërkojnë të ardhme diku tjetër, shkroi “Haaretz”.

Izraeli u krijua në vitin 1948 në tokën palestineze dhe më vonë pushtoi territoret e mbetura palestineze. Qeveritë e njëpasnjëshme izraelite kanë hedhur poshtë një tërheqje dhe krijimin e shtetit të pavarur palestinez me kryeqytet Kudsin Lindor.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button