Ministri izraelit kërcënon me aneksim të Gazës

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich tha se nëse u ndodh diçka pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi, ata do të “aneksojnë një pjesë të Rripit të Gazës”, transmeton Anadolu.
Smotrich bëri deklarata për mediat vendase përpara një takimi që kabineti izraelit i sigurisë do të mbajë për të diskutuar vendimin e Hamasit për pezullimin e shkëmbimit të pengjeve, i cili pritet të bëhet më 15 shkurt.
Duke mbrojtur idenë e tij se Hamasit “duhet t’i jepet një ultimatum”, Smotrich kërkoi që të pengohet hyrja e ndihmave humanitare në Gaza.
Ai rekomandoi aneksimin e territoreve të Gazës nëse u ndodh gjë pengjeve izraelite. “Nëse ndonjë peng dëmtohet, ne do të aneksojmë pesë për qind të territorit të Gazës atë ditë”, tha Smotrich.
Abu Obaida, zëdhënësi i Brigadave Kassam, krahu ushtarak i Hamasit në një deklaratë dje tha se shkëmbimi i pengjeve i cili pritej të bëhej më 15 shkurt është pezulluar me arsyetimin se Izraeli nuk i ka përmbushur angazhimet e tij në marrëveshjen e armëpushimit.
Në deklaratën e Hamasit u theksua se vendimi i pezullimit u njoftua pesë ditë përpara shkëmbimit të pengjeve dhe se në këtë mënyrë vendeve ndërmjetëse u është dhënë mundësia për të ushtruar presion ndaj Izraelit për t’iu përmbajtur kushteve të armëpushimit.