Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon të hapë “portat e ferrit” në Gaza nëse nuk lirohen pengjet

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, kërcënoi se do të hapë “portat e ferrit” në Rripin e Gazës nëse grupi palestinez Hamas nuk liron pengjet izraelite, transmeton Anadolu.

“Nëse Hamasi nuk i liron pengjet, portat e ferrit do të hapen në Gaza”, tha Katz në një ceremoni që shënoi prishjen e ndërtesave të dëmtuara në sulmet raketore izraelite muajin e kaluar në qytetin Holon afër Tel Avivit.

“Kjo është një luftë komplekse. Ajo shkon përtej asaj që është bërë në të kaluarën. Po i afrohemi fazave ku duhet të merren vendime. Ky është lidership dhe ne jemi përgjegjës, jo prokurori dhe askush tjetër”, tha ai.

Hamasi ka ofruar vazhdimisht lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të përfundimit të luftës, tërheqjes së trupave izraelite dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu iu ka rezistuar kushteve të tilla, duke bërë thirrje për çarmatimin e fraksioneve palestineze të rezistencës dhe duke sinjalizuar plane për të ripushtuar Gazën.

Izraeli vlerëson se 58 pengje mbeten në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë. Ndërkohë, mbi 10.100 palestinezë mbahen në burgjet izraelite në kushte të vështira, përfshirë raportime për tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore, sipas grupeve të të drejtave palestineze dhe izraelite.

Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve e kanë akuzuar Netanyahun për zgjatjen e luftës për të qetësuar partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë dhe për të ruajtur pushtetin.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë gati 60 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button