Ministri i Jashtëm i Italisë: Nuk jemi gati ta njohim Shtetin e Palestinës

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ka thënë sot se Italia nuk është ende e përgatitur të njohë Shtetin e Palestinës, pas njoftimit të fundit të Francës se do të ndërmarrë një hap të tillë në shtator, transmeton Anadolu.

Duke folur në një takim të këshillit kombëtar të partisë së tij të qendrës së djathtë “Forza Italia” (FI), Tajani përsëriti mbështetjen e Italisë për zgjidhjen me dy shtete, por theksoi se njohja duhet të jetë reciproke, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

“Italia është në favor të zgjidhjes dy popuj-dy shtete, por njohja e shtetit të ri palestinez duhet të ndodhë në të njëjtën kohë me njohjen e shtetit të Izraelit”, ka thënë ai.

“Ne jemi të interesuar për paqen, jo për fitoren e njërës palë mbi tjetrën”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka mbrojtur veprimet humanitare të Italisë, duke thënë: “Ne jemi vendi që ka pritur numrin më të madh të refugjatëve nga Gaza”.

Ndërsa ka shprehur miqësinë e vazhdueshme me Izraelin, Tajani ka dënuar operacionet e tij të vazhdueshme ushtarake dhe bllokadën e Rripit të Gazës.

“Nuk mund të pranojmë më masakra dhe urinë. Ka ardhur koha për një armëpushim të menjëhershëm. Ne jemi miq të Izraelit, por ia kemi thënë Izraelit (këtë)”, ka deklaruar Tajani.

Komentet e tij shkaktuan kritika nga Partia Demokratike (PD) e opozitës, e cila e akuzoi atë për keqinterpretim të historisë dhe për përdorim të arsyetimit të gabuar për të vonuar njohjen.

“A e di ministri ynë i Jashtëm për çfarë po flet?”, tha Giuseppe Provenzano, shefi i çështjeve të jashtme të PD-së.

“Ai thotë se kemi nevojë për njohjen e Izraelit. Përveç faktit që Italia e njohu atë në vitin 1949, Palestina, së bashku me PLO-në, e njohën gjithashtu Izraelin në vitin 1993, me Marrëveshjet e Oslos”, shtoi ai.

Provenzano theksoi se mungesa e progresit buron nga Izraeli, jo nga Palestina.

“Është Izraeli që duhet ta njohë Palestinën, duke i dhënë fund pushtimit të paligjshëm të territoreve të saj”, tha ai, duke fajësuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për prishjen e marrëveshjeve të kaluara.

“Pra, të thuash tani se kemi nevojë për ‘njohje të ndërsjellë’ do të thotë të presësh që krimineli Netanyahu të vendosë, që do të thotë kurrë”, shtoi Provenzano.

“Mund të zgjedhësh të jesh në anën e gabuar të historisë, por nuk mund ta rishkruash atë me hipokrizi dhe gënjeshtra. E gjithë kjo është e papranueshme”, shtoi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button