Ministri Durmishi prezantoi masën e re të praktikës – shans për mbi 1.300 të rinj të papunë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, prezantoi sot masën e re të praktikës si pjesë e Planit Operativ për Masat Aktive të Punësimit për vitin 2025. Me këtë masë, investohet drejtpërdrejt në njohuritë, kapacitetet dhe potencialin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.
“Ky nuk është vetëm plan në letër – ky është plan për të ardhmen. Plan në të cilin çdo i ri, çdo grua, çdo i papunë ka një shans”, tha ministri Durmishi.
Qëllimi i masës është 1.352 persona të papunë deri në moshën 29 vjeç, me të paktën arsim të mesëm, të përvetësojnë shkathtësi praktike pune, njohuri dhe përvojë. Risi është vendosja e praktikave virtuale – onlajn për 40 persona, i përshtatur me kushtet moderne të punës. Për të gjithë të përfshirët, është siguruar kompensim prej 12.000 denarë, me sigurim dhe tatim personal të paguar, në kohëzgjatje deri në tre muaj.