Miliona njerëz i bashkohen protestave anti-Trump në të gjithë SHBA-në

Protestat kundër presidentit Trump arrijnë përmasa të reja. Në më shumë se 2700 qytete qytetaret dhe qytetarët demonstruan nën moton “No Kings” kundër abuzimit me pushtetit, represionit dhe politikës së migracionit.

Në SHBA sërish u zhvilluan protesta në mbarë vendin kundër presidentit Donald Trumpdhe politikës së tij. Nën moton “No Kings” (“Jo mbretër”) të shtunën (18.10.2025) u mblodhën gati shtatë milionë vetë në mbi 2700 qytete, rreth dy milionë më shumë se në protestat e kaluara në qershor, sipas të dhënave të organizatorëve.

Demonstratat u zhvilluan ndër të tjera në Nju Jork, Çikago, San Francisco, Los Angeles, Nju Orleans, por edhe në qytete më të vogla në brendësi të SHBA-së. Në faqen online të lëvizjes, që bashkon rreth 300 organizata, thuhet: “Presidenti beson, se pushteti i tij është absolut. Por në Amerikë ne nuk kemi mbretër.”
Trump: “Unë nuk jam mbret”

Në shumë manifestime pjesëmarrësit mbanin pankarta, në të cilat Trump paraqitej si Jozef Stalin, mbretëresha e Anglisë apo si mbreti i diellit Ludvig i XIV. Shumë në sloganet e tyre bënin thirrje për dorëheqjen e tij, të tjerë kërkonin shkarkimin e policisë së migracionit ICE, që prej muajsh me udhëzimet e Trumpit po vepron kundër migrantëve ilegalë.
Nga ana e republikanëve në prag të demonstratave u tha, se demonstruesit “e urrejnë Amerikën”. Trump tha në televizionin Fox News: “Unë nuk jam mbret.” Njëkohësisht ai i akuzoi demonstruesit se janë të gatshëm të përdorin dhunë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, nga republikanët e Trumpit tha, se pret që në protestat “No-Kings” të ketë “mbështetës të Hamasit”, “tipa antifa” dhe “marksistë”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button