Miliona euro shkuan kot, Spitali i Kërçovës s’do të përfundohet, do të ndërtohet një i ri nga themeli

Spitali në Kërçovë i cili nisi të ndërtohet para 40 viteve, nuk do të përfundojë asnjëherë. Ndonëse faza e parë dhe e dytë ishin kryer, megjithatë kryeministri Hristijan Mickoski tha se në vend të tij do të ndërtohet një spital tjetër nga themeli dhe do të jetë në lokacion tjetër. Sipas tij themelet e objektit të tanishëm nuk janë adekuat, raporton TV21.
“Kur dolëm në terren me njerëzit konstatuan se më mirë të ndërtohet në lokacion tjetër se në atë sepse themelet janë, ndryshe gjithçka tanimë është ndryshe”, deklaroi Mickoski.
Ai vlerësoi që spitali do të ndërtohet në një objekt tjetër, ndërsa ky objekt do të lihet ashtu.
“Më shtrenjtë është të ndërtohet, rikonstruktohet ai që është lënë ashtu 25 vjet se sa të ndërtohet një i ri”, deklaroi Hrisitijan Mickoski.
Pyetëm edhe ministrin e shëndetësisë Arben Taravari, i cili ishte optimist se objekti ekzistues mund të përfundojë, megjithatë edhe ai është bindur se më mirë është të ndërtohet një tjetër nga themeli.
“Po, e vërtetë është, sipas analizave të kompanisë, më shtrenjtë na kushton rikonstruimi i spitalit ekzistues se sa spital i ri, në lokacion të ri, që e sigurojmë pa problem, në tokë shtetërore, mendoj për spitalin në Kërçovë”, deklaroi Arben Taravari.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, edhe pse vitin e kaluar (2024) kishte dhënë fjalën se ndërtimi i Spitalit të Kërçovës do të fillojë me punë në fillim të këtij viti (2025), më 19 mars tha se “ende s’ka nisur procedura e prokurimit”.
Objekti i spitalit të ri të Kërçovës, ka filluar të ndërtohet që nga vitet e 90-ta. Kërçovarët vazhdojnë t’i marrin shërbimet shëndetësore në hapësirat e spitalit të vjetër, pavarësisht se autoritetet lokale dhe qendrore disa herë u kanë premtuar spital me kushte moderne. Spitali, i cili do të duhej t’u shërbente pacientëve, sot është bërë vendstrehim për qentë endacakë.