Mijëra shqiptarë mblidhen në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së!

Ka nisur në sheshin “Skënderbej” të Tiranës protesta e thirrur nga ish-udhëheqësit e UÇK-së, me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të ish-krerëve politikë dhe ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të paraburgosur në Hagë.
Mijëra protestues nga të gjitha trojet kombëtare, shumë prej tyre të ardhur nga Kosova me flamuj kuqezi dhe flamuj të UÇK-së, janë mbledhur në shesh për të shprehur solidaritetin e tyre.
Protesta ka si qëllim primar mbështetjen ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Njëkohësisht, ajo synon të denoncojë mbajtjen e tyre në paraburgim në Hagë për një kohë të gjatë, ndërkohë që procesi gjyqësor po zhvillohet në Gjykatën Speciale.
Procesi kryesor ndaj të katërtve, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (akuza që ata i kanë mohuar), ka nisur në Hagë prej 3 prillit të vitit 2023.



