Mijëra palestinezë rrezikojnë jetën çdo ditë për ndihmë në Gaza nën bllokadën izraelite

Mijëra palestinezë të zhvendosur në Khan Younis në Rripin e Gazës jugore çdo ditë detyrohen të kalojnë një rrugë të rrezikshme të njohur në nivel lokal si “Rruga e Vdekjes”, në një përpjekje të dëshpëruar për të marrë pako ushqimore mes rrethimit të vazhdueshëm izraelit dhe një krize të paparë humanitare, raporton Anadolu.
Civilët, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, ecin distanca të gjata në këmbë në “Rrugën e Vdekjes”, duke u përballur me kërcënime të vazhdueshme nga snajperët izraelitë dhe sulmet ajrore.
Dje, sipas burimeve mjekësore, të paktën shtatë palestinezë të cilët po prisnin të marrin ndihmë në perëndim të qytetit Rafah në Gazën jugore, u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite.
Trupat izraelite gjithashtu hapën zjarr ndaj palestinezëve që prisnin ndihmë humanitare pranë një pike të shpërndarjes të lidhur me mekanizmin kontrovers të ndihmës SHBA-Izrael pranë korridorit Netzarim. Sipas ekipeve mjekësore, të paktën 10 persona u plagosën nga municionet e vërteta.
Që nga 27 maji, Izraeli dhe SHBA-ja kanë operuar një sistem shpërndarjeje ndihmash të pavarur nga OKB-ja dhe agjencitë kryesore humanitare. Kritikët e kanë dënuar iniciativën si një “kurth vdekjeprurës”, pasi trupat izraelite kanë hapur vazhdimisht zjarr ndaj turmave që kërkonin ushqim dhe furnizime.
Deri të mërkurën e kaluar, Ministria e Shëndetësisë e Gazës raportoi se të paktën 549 palestinezë ishin vrarë dhe më shumë se 4.066 të tjerë ishin plagosur derisa përpiqeshin të marrin ndihmë në këto pika të shpërndarjes.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën vdekjeprurëse në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 56.400 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.