Mijëra izraelitë dalin në rrugë në Tel Aviv për të kërkuar marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve

Dhjetëra mijëra izraelitë kanë protestuar në qendër të Tel Avivit për të kërkuar një marrëveshje që do të sigurojë lirimin e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.

Demonstruesit marshuan nga Sheshi i Pengjeve në qendër të Tel Avivit drejt degës së ambasadës amerikane në rrugën HaYarkon, duke kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Protestuesit mbanin pankarta dhe brohoritnin për përfundimin e luftës dhe kthimin e menjëhershëm të pengjeve. Ish-pengje të liruara nga Hamasi thuhet se gjithashtu morën pjesë në marshim.

Pjesëmarrësit u bënë thirrje të drejtpërdrejta udhëheqësve izraelitë dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ecur drejt finalizimit të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Gjatë 21 muajve të fundit, janë mbajtur raunde të shumta negociatash indirekte midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund luftës dhe për të lehtësuar një shkëmbim të burgosurish.

Dy marrëveshje të pjesshme u arritën në nëntor të vitit 2023 dhe në muajin janar të këtij viti.

Kryeministri izraelit Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, u tërhoq nga finalizimi i marrëveshjes së fundit dhe e rifilloi luftën më 18 mars.

Hamasi ka pohuar vazhdimisht gatishmërinë e tij për të liruar të gjithë pengjet izraelite “në një grup” në këmbim të përfundimit të gjenocidit dhe tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga fundi i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button