Mickoski: Ulen çmimet e naftës dhe benzinës për 2.5 dhe 1.5 denarë

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi ulje të çmimeve të derivateve të naftës, që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Në një konferencë për media në Qeveri, ai bëri të ditur se çmimet e benzinave dhe naftës do të pësojnë ulje, ndërsa do të vazhdojë edhe zbritja prej dy denarësh nga kompania OKTA për partnerët e saj.
“Presim që në mbledhjen e ardhshme të RKE-së të merret vendim me të cilin do të kemi ulje të çmimeve të derivateve, ku benzinat EUROSUPER 95 dhe 98 do të ulen për 1.5 denarë, ndërsa nafta për 2.5 denarë,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut po siguron në kohë dhe në mënyrë të qëndrueshme sasi të mjaftueshme të energjensave për qytetarët, duke theksuar se vazhdon trendi që qytetarë nga vendet fqinje furnizohen me karburant në zonat kufitare të vendit.



