Mickoski sqaron: 15 dhjetori afat planifikimi, jo mbyllje e trezorit

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski në një deklaratë për media theksoi se trezori nuk do të mbyllet më 15 dhjetor, duke shtuar se do të ketë tolerancë. Mickoski mes tjerash tha se 15 dhjetori është caktuar si datë, por siç shtoi nuk do të thotë se pas 15 dhjetori nuk do të pranohen. Tutje kryeministri ju bëri thirrje të gjithë institucionet që të punojnë me plan.
“Nuk thashë që do të mbyllet trezori, por vendosëm datën 15 dhjetor si afat kur të gjitha institucionet duhet të dorëzojnë nevojat dhe shpenzimet aktuale, si dhe të gjitha fondet që duhet të transferohen tek kreditorët, dhe se do të kemi tolerancë. Por ideja është të punojmë me plan, të kemi vetëdije dhe që të gjitha këto të realizohen në kohë dhe të krijojmë një zakon – kjo është thelbi i gjërave. Vitin e kaluar për herë të parë pata një përvojë të tillë, ku gjithçka ndodhte si në 5 para 12, dhe fizikisht trezori nuk mund të përballonte gjithçka. Është e nevojshme të planifikojmë aktivitetet në kohë, që të mos ndodhë që gjithçka të përfundojë në momentin e fundit”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.



