Mickoski sot e merr mandatin për formimin e qeverisë së re

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në mesditë në vilën Vodno do t’ia ndajë mandatin mandatin për formimin e qeverisë liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili pas zgjedhjeve të 8 majit siguroi shumicë parlamentare me koalicionin VLEN dhe Lëvizjen ZNAM, e cila u konfirmua gjatë zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.

Kabineti i ri qeveritar është dizajnuar me riorganizim të ministrive dhe dje VMRO-DPMNE ka dorëzuar në Kuvend propozimin për amendamente ligjore të cilat tashmë janë dorëzuar në seancën e paraparë për nesër.

Sipas Mickoskit, negociatat për qeverinë tashmë kanë përfunduar në pjesën e formimit të dikastereve qeveritare dhe në pjesën e eshalonit të tretë.

“Pres që ta dorëzoj përbërjen e anëtarëve të qeverisë së ardhshme e cila do të votohet para afatit të përcaktuar sipas ligjit dhe Kushtetutës”, tha Mickoski në Kuvend pas dorëzimit të amendamenteve të Ligjit për organizimin e punës të Organeve të Administratës Shtetërore.

Ai kërkoi mbështetjen e të gjithë deputetëve për ndryshimet ligjore që kërkojnë një shumicë prej dy të tretash. VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë në zgjedhje, Koalicioni VLEN 14 dhe Lëvizja ZNAM gjashtë.

“Ne premtuam një shtet funksional dhe ligjor, një qeveri efikase që do të zbatojë reformat. Thelbi i besimit të madh nga qytetarët janë politikat që duhet të zbatojë qeveria e ardhshme për të pasur shtet ligjor, për të mos pasur qytetarë të rendit të dytë, për të forcuar ekonominë, që nxënësit të kenë tekste shkollore në fillim të vitit, që shëndetësia të ketë kushte, subvencionet për fermerët janë ato që premtuam në program. Për realizimin e gjithë kësaj është e nevojshme të miratohen ndryshimet dhe riorganizimi i dikastereve të Qeverisë”, tha Mickoski.

Ai i ka dorëzuar ndryshimet në ligj, në procedurë të shkurtuar, në bazë të nenit 71 paragrafi 1 i Kushtetutës dhe në bazë të neneve 139, 144 dhe 175 të Rregullores së Kuvendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button