Mickoski pret që këtë vit të fillojë ndërtimi i hekurudhës së shpejtë që është pjesë e Korridorit 10

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që këtë vit të nisë ndërtimi i hekurudhës së shpejtë që është pjesë e Korridorit 10, për të cilën Ministria e Financave duhet të dërgojë letra bankave që do të japin ofertat për financim.
“Pres që gjatë kësaj periudhe të dërgohen formalisht shkresat te huadhënësit potencialë. Nëse gjithçka shkon siç duhet, pres që këtë vit të nisë ndërtimi i kësaj hekurudhe, që do të ketë rëndësi të madhe si në aspektin historik, ashtu edhe në atë të transportit”, deklaroi sot Mickoski nga Manastiri.
Ministria e Financave, siç njoftoi dje ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska, deri në fund të ditës së sotme duhet të dërgojë letrat bankave që do të japin ofertat për financimin e këtij projekti.
“Duhet të shohim sa banka janë, për të vlerësuar se sa kohë do të na duhet neve dhe atyre. Mendoj se deri më 30 qershor duhet të dorëzohen ofertat, por pritni të dërgojmë letrën dhe do të informojmë për afatin përfundimtar të ofertave. Qeveria na ka ngarkuar që brenda pesë ditësh të dorëzojmë ofertat, dhe ne do ta përcaktojmë afatin në bazë të dokumentacionit. Ndoshta do të duhet të zgjatet nëse bankat kërkojnë të dhëna shtesë. Në letër janë të përfshira personat kontaktues nga Ministria e Financave (MF), por edhe nga institucionet përgjegjëse, sepse MF nuk është institucioni që përgjigjet për detajet e projektit që do të financohet.
Bëhet fjalë për 1.91 miliardë euro që do të kërkohen si ofertë nga një listë më e gjerë bankash, përfshirë edhe ato me të cilat kemi bashkëpunim të rregullt si Banka Botërore, BERZH dhe BEI. Do të informoheni me kohë për çdo ofertë që do të vijë — çfarë përmban ajo. Kemi për detyrë që brenda pesë ditëve pune t’i dorëzojmë letrat. Sapo të jenë dërguar, do të merrni informacione për secilën ofertë. Për të mos pasur dilema, do të jemi maksimalisht transparentë, ashtu siç ka qenë gjithmonë Ministria e Financave”, tha ministrja.