Mickoski paralajmëroi investim prej 350 milionë eurosh nga një kompani evropiane

Në fazën përfundimtare janë negociatat me një kompani që do të investojë 350-360 milionë euro në prodhimin e baterive në vend, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. Kompania, thotë ai, është nga një shtet anëtar shumë i fuqishëm i BE-së. Përveç kësaj, Mickoski paralajmëron se ky vit do të jetë me cilësi të jashtëzakonshme në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja, transmeton Portalb.mk.

“Mund të them se jemi në negociata përfundimtare me një kompani që vjen nga një shtet anëtar i fuqishëm i Bashkimit Evropian, me të cilin po negociojmë një investim prej 350-360 milionë euro në fushën e teknologjisë së avancuar, gjegjësisht fushën e prodhimit të baterive, diçka që realisht paraqet të ardhmen jo vetëm në Evropë, por kudo në botë”, thotë Mickoski në një intervistë për MIA-n.

Ai thotë se gjatë këtij muaji një tjetër investitor, i cili ka një peshë të madhe në eksporte, duhet të vendos nëse do të zgjerojë investimin e tij në vend.

“Kemi edhe investimin e një investitori ekzistues shumë cilësor me pjesëmarrje të madhe në eksporte, i cili në janar duhet të vendos nëse do ta zgjerojë investimin e tij këtu dhe kjo do të thotë shumë për ekonominë maqedonase. Jemi në raundin e fundit, në raundin më të ngushtë si shtet së bashku me një nga shtetet federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Do ta them se është shteti i Pensilvanisë. Pra, Pensilvania dhe Maqedonia janë në rrethin më të ngushtë për këtë investim. Ne punojmë çdo ditë për këtë plan”, shton ai.

Mickoski thotë se në modelin e tërheqjes ndryshon pjesa e dispozitave ligjore, stimulimi, gjegjësisht përkrahja e investimeve të huaja, por nuk do të jetë dramatikisht ndryshe nga ajo që ka ndodhur më parë, por thjesht, siç sqaron ai, po mundohen për të diversifikuar atë portofol investimi në degë që kanë vlerë të shtuar të lartë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button