Mickoski: Nuk do t’i votoj ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria të përmbushë detyrimet e saj

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi mbrëmë se nuk planifikon të votojë ndryshimet kushtetuese derisa Bullgaria të përmbushë detyrimet e saj, përfshirë respektimin e të drejtave të të gjitha pakicave.

Gjatë një interviste në Kanal 5, i pyetur për partneritetin strategjik me SHBA dhe nëse Uashingtoni do të kërkonte votimin e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski theksoi se kjo nuk do të ndodhë.

“Nuk do t’i votoj, kjo nuk do të ndodhë. Nuk do t’i votoj derisa Bullgaria të përmbushë detyrimet e saj dhe të respektojë të drejtat e të gjitha pakicave. Këto të drejta janë të përfshira në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg,” tha Mickoski.

Lidhur me qeverinë e re politike në Bullgari dhe nëse kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe, Mickoski përmendi takimin e ministrit të Jashtëm Timço Mucunski me Georg Georgiev në Mynih, duke theksuar se situata nuk ka ndryshuar dhe se nuk ka mirëkuptim, por vetëm bllokadë.

“Sa partner i NATO-s është fqinji ynë lindor, tregon mjaftueshëm vendimi i sotëm për të mos investuar në Korridorin 8, i dyti për nga rëndësia për Aleancën, për të cilin nënshkruan në samitin e Uashingtonit në korrik të vitit të kaluar. Qeveria e tyre vendosi të mos investojë në modernizimin e Korridorit 8. Nëse ata e marrin këtë vendim për Korridorin 8, imagjinoni çfarë na pret më tej,” tha Mickoski.

Sipas tij, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk varet nga asnjë rezolutë, por nga marrëdhëniet dypalëshe, të cilat, siç tha ai, fatkeqësisht janë lejuar nga vetë BE-ja.

“Derisa të tregoni karakter dhe vlera në të cilat besoni, nuk do të vlerësoheni. E njihni historinë e kërmillit, nëse mendoni se me servilizëm do të arrini në majë, gaboheni. Unë nuk mendoj kështu. Unë mbështes parimin se është më mirë të jetë e vështirë sesa e turpshme. Këto janë parimet dhe vlerat në të cilat besoj,” theksoi kryeministri.

Ai shtoi se afrimi apo largimi nga BE-ja nuk varet nga fakti nëse vendi është bashkë-sponsor i një rezolute apo tjetre, por ekskluzivisht nga çështjet dypalëshe, të cilat BE-ja ka lejuar të ndodhin.

“Gaboj apo jo, nuk e di. Nëse do të kem sukses apo jo, nuk e di. Por unë kam marrë legjitimitetin nga qytetarët në zgjedhjet e para 9 muajve, gjysmë milioni njerëz kanë dalë dhe kanë votuar,” tha Mickoski. “Nuk kam ndërmend të puth stilolapsa, të buzëqesh ndërsa më fyejnë, më poshtërojnë dhe më nënçmojnë. Unë do të prezantoj argumentet e mia, të cilat nuk pretendoj se janë më të drejtat apo më të sakta, por kam marrë besimin e qytetarëve për të mbrojtur interesat e këtij shteti dhe të gjithë qytetarëve të tij,” shtoi ai.

Sipas tij, si një komb i vogël dhe një nga shtetet më të vogla në Evropë, Maqedonia e Veriut duhet gjithmonë të mbështetet te partnerët e saj strategjikë.

“Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të jemi krah për krah edhe me partnerët tanë evropianë. Duhet të ndjekim një politikë të mençur. Ka shumë shtete anëtare të BE-së, por edhe vende kandidate që kanë bashkëpunuar me shtetet lindore dhe kanë përparuar në kuadër të anëtarësimit në BE. Fatkeqësisht, ne nuk kemi përparuar. Kur një herë krijohet një standard i dyfishtë dhe një përjashtim, ai bëhet praktikë,” tha Mickoski.

Ai gjithashtu akuzoi opozitën për hipokrizi në lidhje me shqetësimet e tyre për marrëdhëniet me BE-në për shkak të partneritetit strategjik me SHBA-të.

“Opozita do të ketë gjithmonë dilema, çfarëdo që të bëjmë ne. Nuk pres që opozita të dalë dhe të mbështesë hapat e VMRO-DPMNE-së dhe të qeverisë maqedonase. Shqetësimi i tyre bazohet në hipokrizi. Nëse e mbani mend, kur deputetët ‘zhdukeshin’, ata thoshin se me zemër janë në Bruksel, por me shpirt në Uashington, për të treguar se SHBA është partneri ynë më i rëndësishëm strategjik,” përfundoi kryeministri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button