Mickoski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se nuk sheh nevojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke theksuar se vendi duhet të përqendrohet në rezultate konkrete dhe përmirësimin e standardit të jetesës. Në fjalimin e tij në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, me rastin e 23 Tetorit – Ditës së Luftës Revolucionare, ai u shpreh se opozita, pas një “debakli historik”, po përpiqet të motivohet përmes “llogarive joreale për mandate parlamentare”.
“E kuptoj që janë në nokaut zgjedhor nga populli, por me matematikë joreale vetëm e irritojnë më shumë. As në analizat e tyre nuk dalin fitues, sepse populli u dha një mësim të qartë. Tani është koha për punë, për rezultate dhe për ofensivë të madhe në çdo plan”, theksoi Mickoski.
Ai shtoi se VMRO-DPMNE dhe koalicioni qeverisës kanë marrë “besim të madh” nga qytetarët, dhe kjo mbështetje paraqet përgjegjësi të madhe për t’u justifikuar me rezultate.
Sa i përket opozitës, Mickoski tha se ajo duhet të reflektojë në vend që të kërkojë zgjedhje të reja:
“Unë nuk i dëshiroj zgjedhjet e parakohshme, sepse ato janë të panevojshme. Koha është për punë, për ekonomi dhe për standard”, u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, kryeministri kritikoi edhe përdorimin e temave etnike për qëllime politike, duke iu referuar edhe partnerëve të mëparshëm të koalicionit, BDI-së, të cilët, sipas tij, “morën një mesazh të qartë nga qytetarët dhe shqiptarët – mjaft më me politikanizim dhe përfitim personal përmes etnicitetit”.
“Populli është lodhur nga ndarjet dhe pret jetë më të mirë. Kushdo që mendon se me tema etnocentrike do të fitojë në politikë, le ta shohë rënien e BDI-së – ajo është një mësim për të gjithë”, shtoi Mickoski.
Kryeministri theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëjetesës në vend:
“Maqedonia është atdheu i të gjithëve – maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Të gjithë së bashku e formojmë mozaikun që ndriçon në dallimet, por edhe në unitetin tonë”.
Ai paralajmëroi se në periudhën e ardhshme prioriteti kryesor i qeverisë do të jetë lufta për një standard më të mirë jetese dhe zhvillim ekonomik, duke njoftuar për një investim të ri prej 150 milionë dollarësh nga një kompani amerikano-britanike në industrinë ushtarake, që do të krijojë rreth 1.000 vende pune me paga të larta.
“Viti i ardhshëm do të jetë viti i ekonomisë. Qytetarët duhet të ndiejnë më shumë para në portofol. Kjo është beteja e gjeneratës sonë – për jetën më të mirë që duhet ta ndërtojmë vetë, me forcat tona”, theksoi Mickoski.
Në fund të fjalimit, ai tha se patriotizmi sot nuk matet me fjalë, por me vepra:
“Me çdo urë që ndërtojmë, me çdo shkollë që hapim, me çdo jetë që përmirësojmë – kështu tregohet dashuria ndaj Maqedonisë. Ideali i VMRO-së është i përjetshëm, dhe faqet më të bukura të historisë sonë ende nuk janë shkruar”.