Mickoski: Mbështes idenë që “Safe City” të zgjerohet edhe në qytete tjera, do të durojmë kritikat, vetëm të shpëtojmë jetë

Kryeministri Hristijan Mickoski komentoi sistemin “Safe City”, i cili filloi të funksionojë dje, ndërsa deri në fillim të janarit do të ketë vetëm paralajmërime.
Mickoski tha se shpreson që sistemi të zgjerohet në të gjithë vendin.
“Unë mbështes zbatimin e Safe City dhe zgjerimin e tij në të gjithë territorin e Maqedonisë. Disa thonë se kjo do të sjellë kritika ose goditje politike për Qeverinë, dhe unë them se ne jemi të gatshëm t’i rezistojmë asaj goditjeje politike, vetëm për të shpëtuar një jetë njerëzore. Vetëm në dy javët e fundit, kemi pasur tre viktima në qendër të kryeqytetit”.
“Në bisedat me ministrin e Brendshëm, ne jemi të gatshëm të durojmë të gjitha kritikat, siç dëgjoj nga disa ish-kundërshtarë të LSDM-së dhe BDI-së, të cilët kritikojnë të gjitha këto. Dhe nëse arrijmë të shpëtojmë një jetë njerëzore, unë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi politike, sepse ato jetë njerëzore humbasin për shkak të mosrespektimit të rregullave”, tha Mickoski, i cili komentoi edhe statistikat e djeshme në të cilat u regjistruan një numër i madh i shkeljeve.
“E patë një ditë sa shumë shkelje po bëhen, disa prej tyre ishin sepse po drejtonin automjete të paregjistruara, disa prej tyre ishin sepse kaluan me semafor të kuq. Dhe kjo është katastrofë”, tha Mickoski.



