Mickoski: Maqedonia është viktimë e bullizmit evropian, BE po shqyrton ndarjen e vendeve në “ligë të parë dhe të dytë”

Kryeministri Hristijan Mickoski dërgoi mesazhe të ashpra lidhur me rrjedhën e eurointegrimeve të Maqedonisë, duke vlerësuar se shteti është viktimë e një bullizmi klasik nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas tij, përparimi i vendit nuk vlerësohet në bazë të reformave, por ekskluzivisht përmes imponimit të kushteve politike.
“Nuk vlerësohet përparimi, por nëse do ta ndryshojmë Kushtetutën, banknotat, flamurin. Sa më shumë ta injorojmë këtë, aq më i vështirë do të jetë rrugëtimi”, deklaroi Mickoski, duke drejtuar kritika ndaj qeverisjes së kaluar. Ai akuzoi garniturat e mëparshme politike se, për shkak të paaftësisë për t’u përballur me krimin dhe korrupsionin e brendshëm, kanë pranuar gjithçka që u është ofruar “në një fletë të bardhë” vetëm për të qëndruar në pushtet.
Kryeministri u ndal edhe te opozita, duke e cilësuar LSDM-në si “një dyqan lagjeje që merret me lajme të rreme” dhe si parti në prag të zhdukjes.
Në planin ndërkombëtar, Mickoski paralajmëroi për një iniciativë të re që, sipas tij, po shqyrtohet në Bruksel, krijimi i vendeve anëtare të “ligës së parë dhe të dytë”. Ai vlerësoi se ky koncept kërkon reflektim serioz dhe vendime të mençura nga ana jonë, duke theksuar se populli duhet të jetë i durueshëm në këto momente historike, pasi nuk ka asgjë më të keqe për një komb sesa liderë të korruptuar.



