Mickoski ia la derën hapur Zajkovës, PLD do të veprojë e pavarur në Parlament thotë ajo

Kryeministri Mickoski ia la derën hapur PLD-së për t’iu bashkangjitur koalicionit qeveritar, pasi që kryetarja e partisë, Monika Zajkova, u largua nga koalicioni opozitar i udhëhequr nga LSDM. Thotë se ende nuk kanë biseduar por se secili që i përfaqëson interesat e Qeverisë është i mirëseardhur, por edhe se për këtë do të konsultohet me partnerët e koalicionit.
“Secili që i zbaton dhe mbështet politikat e kësaj Qeverie mund të na bashkëngjitet dhe të mbështet këto politika. A do të ishin zyrtarisht pjesë e koalicionit qeveritar ende nuk kam biseduar as në suaza të koalicionit, e as në suaza të partisë. Megjithatë është proces që duhet të marrë mbështetjen e gjithë aktorëve. Nuk mjafton çfarë do të thotë Hristijan Mickoski, është e rëndësishme që të shohim çfarë thonë partnerët e koalicionit. Por çdo mbështetje nga çdo deputet që i mbështet politikat e kësaj Qeverie është e mirëseardhur në suaza të votimit në Parlament”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Por pikërisht mbështetja e politikave të kryeministrit Mickoski rreth ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim që hapur i tha në emisionin Daily Click në TV21, duke vlerësuar se janë mundësi e mirë për debllokimin e procesit eurointegrues, e hapën dilemën nëse Zajkova po i afrohet pushtetit. Megjithatë ajo, në deklaratë për portalin Racin, ka thënë se mbetet që të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Si deputet mbetem që të veproj në mënyrë të pavarur në Kuvend. PLD është subjekt i pavarur politik me programin e vet politik dhe me idologjinë e vetë liberale. Praktikë e partisë është që të ketë qëndrime të veta rreth çështjeve që ndonjëherë edhe më herët ka qenë ndryshe nga qëndrimi i partnerëve të koalicionit, si për shembull tatimi i sheshtë që PLD ishte propozues ndërsa LSDM insistonte për tatim progresiv”, u shpreh Monika Zajkova – kryetare e PLD-së.
PLD në zgjedhjet e fundi ishte pjesë e koalicionit të udhëhequr nga LSDM, ndërsa Zajkova ishte bashkëbartëse e listës në Njësinë e dytë zgjedhore së bashku me ish kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. TV21 duke u thirrur në burime partiake publikoi se Zajkova largohet nga koalicioni me LSDM-në, por nuk dihet nëse do t’i bashkëngjitet koalicionit qeveritar të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.