Mickoski edhe një herë ia shuan shpresat BDI-së: Shkon në opozitë!

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pak ditë para votimit në zgjwdhjet e dyfishta, thotë se zgjedhjet presidenciale do të përfundojnë ashtu siç duhet dhe është 100% i sigurt se do të zgjidhet presidente kandidatja Gordana Siljanovska-Davkova.
Mickoski në daljen e sotme televizive në ditarin e televizionit Sitel tha se nuk dëshiron të flasë për numra, por pret fitore dhe theksoi se presidenti i ardhshëm do të kishte më shumë se 500 mijë vota, kurse VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia juaj” do të kishte 55 deputetë.
“Si mund të bëjmë koalicion me njerëz që përpiqen të fitojnë vullnetin e qytetarëve në mënyrë të dhunshme”, tha Mickoski.
Për mundësinë e kalimit të BDI-së në opozitë dhe frikën e qytetarëve, siç tha prezantuesi, nga ripërtëritja e trazirave në shtet dhe përsëritja e skenarit të vitit 2001, Mickoski tha se “nuk duhet të kemi frikë nga kërcënimet e politikanëve kriminelë”.
“Asgjë e veçantë nuk do të ndodhë nëse BDI shkon në opozitë”, shtoi ai.
Sipas tij, jetojmë në një situatë ku shoqëria është në frikë të vazhdueshme dhe nuk duhet të jetë kështu.
“Njerëzve të BDI-së u pëlqen të bëjnë kërcënime. Kërcënimet që vijnë nga BDI nuk janë kërcënime ndaj të cilave duhet të qëndrojmë prapa dhe të strukemi. Këto janë kërcënime në pafuqi, kërcënime të kriminelëve që kanë frikë të na përgjigjen për atë që kanë krijuar në Maqedoni. Lërini njerëzit të vendosin se në çfarë lloj vendi duan që ne të jetojmë,” tha ai.
Mickoski thotë se shteti do të duhet të heqë qafe skllavërinë e BDI-së dhe theksoi se nuk do të ketë më, siç tha, “djemtë kokërruar që blejnë qendra tregtare për dhjetëra milionë euro, nuk do të ketë njerëz që, për shkak të afërsisë me kryesinë e BDI-së, do të ngasin ‘Rolls Royce’, ‘Mercedes’, nuk do të ketë kompani që do të regjistrojnë miliona fitime në llogarinë e tyre”.
Lidhur me koalicionet e mundshme me partitë tjera opozitare dhe njoftimet që dalin për marrëveshje të mundshme për ndarjen e pozitave në qeverinë e ardhshme, Mickoski tha se tani nuk i shkon mendja të diskutojë për ndonjë qëndrim.



