Mickoski: Do të rindërtohet dhe modernizohet transporti hekurudhor

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve në lidhje me projektin për ndërtimin e hekurudhës, i cili do të financohet nga mjetet që do të fitohen në kuadër të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, dhe kur do të nënshkruhet marrëveshja për investim, deklaroi:
“Mendoj se të mërkurën apo të enjten, do të nënshkruhet zyrtarisht dhe në këtë mënyrë do të nisë projekti për realizimin e pjesës ekonomike të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar. Siç e kemi komunikuar më herët me publikun, kemi në dispozicion 5 miliardë funta, afërsisht 6 miliardë euro, për projekte që janë strategjike – do të thoja transformuese për shtetin.
Ndërkohë, hekurudha është pjesë e Korridorit 10, që lidh Tabanocin me Gjevgjelinë. Ky projekt përfshin modernizim të plotë, rindërtim dhe ndërtimin e një binari paralel shtesë. Praktikisht do të kemi dy binarë, me ç’rast transporti hekurudhor i mallrave do të realizohet me një shpejtësi mesatare mbi 110 km në orë. Sot, kompozitat e mallrave lëvizin shumë ngadalë nëpër Korridorin 10 – në disa vende vetëm me 5–10 km/h. Shpejtësia mesatare është diku rreth 25 km/h, ndërsa për pasagjerët do të jetë rreth 160 km/h, që do të mundësojë një shkëmbim disa herë më të madh dhe më të shpejtë të mallrave dhe pasagjerëve.
Njëkohësisht po përfundojmë projektin për Qendrën Klinike në Shtip, me ç’rast ky rajon i vendit do të përfitojë nga një kujdes shëndetësor modern dhe bashkëkohor, përfshirë edhe Fakultetin e Mjekësisë dhe konviktin studentor me dyqind shtretër. Po ashtu, si pjesë shtesë, do të ndërtojmë spitalin në Kërçovë – për të cilin tashmë kemi arritur marrëveshje – dhe do të bëjmë një rindërtim të plotë të Spitalit Klinik në Tetovë.
Ky është vetëm fillimi. Hapi i radhës do të jenë projekte të tjera në fushën e energjetikës, transportit dhe përsëri të shëndetësisë – këto janë investime kapitale. Ende nuk arrij të kuptoj disa nga komentet që vijnë nga opozita, dhe më së shumti u çudita kur dje, prej tyre u tha se po marrim borxhe për investime kapitale.
Sinqerisht, nuk e di kush e përgatit strategjinë e komunikimit të opozitës, por këshilla ime është që nuk janë në rrugën e duhur. Mendoj se Maqedonisë i duhet një opozitë cilësore, konstruktive, e cila mesazhet që i artikulon t’i shtojë vlerë debatit, dhe jo të duket, do të thosha, në disa momente edhe qesharake.”