Mickoski, Ahmetit: Do të reagojmë nëse dëmtohet karakterin unitar i shtetit
Kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar deklaratat e fundit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, tha se çdokush ka të drejtë të shpreh pakënaqësitë në mënyrë demokratike, por paralajmëroi se qeveria do të reagojë në rast se pakënaqësia shprehet duke dëmtuar karakterin unitar të shtetit.
Mickoski akuzoi BDI-në se po ndan shqiptarët si askush më parë.
“Por, nëse kjo pakënaqësi është në dëm të karakterit unitar, dhe në dëm të ligjit dhe Kushtetutës, atëherë ne si qeveri do të duhet ta mbrojmë atë, kuptohet.
Unë çuditem si BDI, udhëheqësia e BDI-së, nuk mori mësim se është e nevojshme që ta shfrytëzojnë këtë periudhë në opozitë, që të reformohen, të freskojnë kuadrot, programin, dhe në zgjedhjet e ardhshme të ofrojnë kuadro dhe programe të reja.
Çuditem se si udhëheqësia e BDI-së i ndan shqiptarët, si askush më parë në të kaluarën në Maqedoni, në shqiptarë të duhur dhe jo të duhur. Këtë po e bën udhëheqësia e BDI-së që thirret në legjitimitetin e shqiptarëve”, deklaroi Mickoski.