Mexhiti: Sot u dëshmua se Qeveria ka vullnet për ta luftuar fuqishëm epideminë e kumarit!

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua mendimi ligjor nga Ministria e Financave, i cili, brenda afateve të përcaktuara kohore, i është dërguar Legjislativit. Ky hap përmbush kërkesën, për interpretim autentik të Ligjit për Lojërat e Fatit, ka shkruar zv/kryeministri Izet Mexhiti.
“Tani, presim që Komisioni Ligjvënës dhe Kuvendi të deklarohen përfundimisht, duke krijuar parakushte ligjore, për mbylljen dhe largimin e lojërave të fatit online nga shtëpitë e qytetarëve. Gjithashtu, kjo nismë hap rrugën për t’i çuar para drejtësisë zyrtarët përgjegjës të qeverisë së kaluar, për vendimet e dëmshme dhe të paligjshme që kanë marrë.
Kërkesa për një interpretim autentik është vetëm fillimi i një plani më të gjerë për të përballuar pasojat e dëmshme të lojërave të fatit. Pas kësaj, do të hartohet një rregullativë e re ligjore, me synimin për të zvogëluar të paktën përgjysmë numrin e kazinove.
Ministria e Financave ka njoftuar gjithashtu për vendimin e heqjes së licencave të dy kompanive që organizojnë lojërat e fatit. Qeveria konstatoi se Lotaria Shtetërore ka dhënë në mënyrë të paligjshme licenca për organizimin e lojërave të fatit, për të cilat do të njoftohen institucionet kompetente hetimore.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua edhe një vendim tejet i rëndësishëm në kuadër të shëndetësisë: informacioni për punësimin e 600 specializantëve privatë, që do të punojnë në institucionet shëndetësore publike në vend”, ka njoftuar zv/kryeministri Mexhiti.
Gjithashtu, Mexhiti ka njoftuar se Qeveria ka miratuar disa ndryshime kuadrovike:
“U emërua ushtrues detyre për pozitën e zëvendës drejtorit në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari.
U emërua ushtrues detyre për pozitën e drejtorit në Burgun e Idrizovës, me repartin e hapur në Veles.
U emërua ushtrues detyre për pozitën e drejtorit në Burgun e llojit të hapur, në Strugë.”