Mexhiti: Sistemi “One Stop Shop” me Kosovën do jetë i njejtë siç e ka me Shqipërinë
Në prag të mbledhjes ndërqeveritare, asaj të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e cila pritet të mbahet të hënën e ardhshme në Prishtinë, në një intervistë eksluzive për RTK-në, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti ka zbuluar disa nga pikat e diskutimit.
“Mbledhja e përbashkët do të jetë e frytshme ku si pikë e parë e mbledhjes do të jetë rregullimi i sistemit në kufijtë Bllacë dhe Jazhincë, Shkup-Tetovë, të cilat janë pika tejet të rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve në dy shtete me sistemin one stop shop që dukshëm do të lehtëson qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, është identik me atë që e ka Kosova dhe Shqipëria.
Kurse pika e dytë e diskutimit sipas tij do jetë për bashkëpunimin në sferën e energjetikës për të ndihmuar njëri tjetrin në rastet kur ka nevojë.
Ndërsa pika e tretë Mexhiti tha se ka të bëjë me rrugën Tetovë – Prizren.
“Së shpejti do të hapet tenderi i tunelit i cili është 6.2 kilometra pak më i gjatë se tuneli i Kalimashit në Shqipëri dhe më i gjati në rajon. Përveç këtyre tre pikave do të ketë edhe pika të tjera të cilat në interes të dy shteteve dhe qytetarëve”, tha ai.