Mexhiti: Sigurohen 65 milionë euro për dy projekte strategjike

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi sot fillimin e përgatitjeve për dy projekte strategjike që pritet të transformojnë infrastrukturën dhe jetën studentore në Shkup. Sipas tij, për projektet janë siguruar 65 milionë euro.
“65 milionë euro janë siguruar dhe tashmë po bëhemi gati për nisjen e dy projekteve strategjike, ndërtimin e Kampusit Universitar ‘Nënë Tereza’ dhe parkingut nëntokësor në Sheshin Skënderbeu, që do të sjellin përfitime afatgjata për studentët, qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Shkupit,” tha Mexhiti.
Ai shtoi se sot ka zhvilluar një takim me Ministrin e Transportit, Aleksandar Nikollovski, Drejtorin e Inspektoratit të Ndërtimit dhe përfaqësues të Komunës së Çairit, ku u dakorduan për hapat konkretë që sigurojnë fillimin e menjëhershëm të këtyre projekteve.
“Këto projekte vendosin themele të reja për modernizimin urban e arsimor të qytetit tonë dhe shënojnë një moment kyç për zhvillimin strategjik të Shkupit. Me këtë angazhim, po e hapim një fazë të re ku vizioni për një qytet funksional, inovativ dhe zhvillimor po kthehet në realitet,” theksoi Mexhiti.
Ai bëri të ditur se falë koordinimit ndërinstitucional dhe përkushtimit të përbashkët, shumë shpejt do të fillojë zbatimi në terren i këtyre projekteve me rëndësi kombëtare dhe strategjike.
“Ne i mbajmë premtimet dhe e kthejmë vizionin në realitet!” përfundoi Mexhiti.