Mexhiti: Qeveria urdhëron mbikëqyrje të jashtëzakonshme për mbeturinat në Shkup

Kryetari i ri i Komunës së Çairit, njëherësh ministër i Mjedisit Jetësor dhe zëvendëskryeministër i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së rënduar të mbeturinave në kryeqytet, duke e quajtur atë “pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale”.

“Sot Shkupi është katandisur në një gjendje të rëndë të mbeturinave. Rrugët, lagjet dhe hapësirat publike janë lënë pas dore, duke u kthyer në pasqyrë të papërgjegjësisë institucionale,” ka shkruar Mexhiti.

Ai ka theksuar se përgjegjësinë për këtë gjendje e mban ndërmarrja publike “Higjiena Komunale – Shkup”, e cila drejtohet nga koalicioni BDI – Danella – Levica.

“Menaxhimi i mbeturinave komunale bëhet përmes ndërmarrjes publike ‘Higjiena Komunale – Shkup’. Këta mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kaosin dhe papastërtinë që ka pushtuar qytetin,” ka theksuar ai.

Mexhiti njoftoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka urdhëruar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj mënyrës së mbledhjes dhe transportit të mbeturinave në territorin e Shkupit, për shkak të gjendjes alarmante të krijuar ditëve të fundit.

Gjithashtu, është urdhëruar një kontroll i detajuar mbi punën e ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale – Shkup”, për shkak të mosmbledhjes së rregullt të mbeturinave, e cila, sipas tij, “po rrezikon seriozisht shëndetin e qytetarëve”.

“Shumë shpejt do të ndërmarrim aksion të plotë për pastrimin e qytetit, sepse qytetarët e Shkupit meritojnë pastërti, dinjitet dhe një administratë që punon për ta,” përfundon reagimi i Mexhitit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button