Mexhiti: Qeveria ka shumicë stabile, edhe pa Taravarin kemi 13-14 deputetë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, tha të premten se Qeveria e ka një shumicë të qëndrueshme, por shtoi se po zhvillohen bisedime me deputetë nga koalicioni opozitar, Fronti Evropian, për t’u bërë pjesë e Qeverisë.
Duke folur gjatë konferencës “Përmirësimi i infrastrukturës së gjelbër në Ballkanin Perëndimor”, Mexhiti tha se, pavarësisht largimit të Arben Taravarit, blloku shqiptar vazhdon të ketë legjitimitet dhe “numër të njëjtë të deputetëve, 13-14”.
I pyetur nga gazetarët nëse këta deputetë do të veprojnë si pjesë e grupit parlamentar VLEN, Mexhiti u përgjigj se disa janë pjesë e shumicës dhe të Frontit Evropian dhe, sipas tij, “do të jenë mbështetje për Qeverinë”.
Pas dorëheqjes së Taravarit – të cilit pushteti i kishte dërguar mesazhin se “nuk mund të jetë edhe pjesë e Qeverisë edhe të bashkëpunojë me BDI-në” – u hap çështja e një riformatimi të kabinetit qeveritar, por kryeministri Hristijan Mickoski e mbylli këtë diskutim duke paralajmëruar vetëm zëvendësim ministrash.
Mexhiti tha në mëngjes se janë “në negociata për disa opsione politike për postin e ministrit të Shëndetësisë pas largimit të Taravarit, dhe në bazë të tyre do të propozohet një emër i ri për ministër”.
Ai shtoi se këto bisedime nuk zhvillohen vetëm brenda VLEN-it apo me kryeministrin Mickoski, por edhe me “individë, grupe dhe subjekte politike jashtë VLEN-it – brenda Frontit Evropian, të cilët janë në opozitë dhe ndoshta do të kalojnë në anën tjetër”.
Ai nuk sqaroi nëse kjo nënkupton se po negociohet edhe me Ziadin Selën.