Mexhiti për Taravari: Nuk do të thotë nëse nuk merresh vesh te shtëpia, të shkosh te BDI-ja!

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i pyetur lidhur me deklaratën e Arben Taravarit se është takuar me Musa Xhaferin dhe Fatmir Deharin, tha se duhet bërë dallimi mes komunikimit dhe marrëveshjes. Ai sqaroi se ka komunikim me të gjithë, pasi “nuk jemi në luftë”, por sipas tij, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim apo marrëveshje.
“Ne mbrëmë e ftuam z. Taravari që të reflektojë, pasi qarkullojnë informacione – të cilat ai vetë i ka konfirmuar – se ka pasur bisedime me z. Ali Ahmeti dhe me BDI-në. Brenda VLEN-it gjithçka është e lejueshme dhe legjitime: ndërtimi i pozicioneve, i ideve dhe i projekteve politike. Por demokracia ka një rregull: debatohet pro dhe kundër, hidhen argumentet në tavolinë dhe në fund vendoset sipas shumicës. Kjo nuk do të thotë se, pasi ke një marrëveshje të brendshme, duhet të shkosh në shtëpinë e BDI-së me qëndrimet e tyre,” u shpreh Mexhiti.
Ai shtoi se VLEN-i është formuar si një alternativë ndaj BDI-së dhe se votat janë fituar me synimin për të sjellë ndryshim.