Mexhiti: Nuk duhet të ketë fatura paushalle për energjinë elektrike, do të vendoset kontroll i rreptë

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka komentuar kërkesën e ministres së Energjetikës Sanja Bozhinovska drejtuar Byrosë së Metrologjisë, që të vihen në punë pajisjet e sofistikuara për testimin dhe verifikimin e matësve të energjisë elektrike.
Mexhiti në Facebook shkruan se nuk duhet të ketë fatura paushalle për energjinë elektrike, ndaj me këtë veprim do të shqyrtohen të gjitha ankesat e qytetarëve.
Reagimi i plotë:
“Mjaftë më me padrejtësi! Nuk duhet të ketë fatura paushalle për shpenzimet elektrike! Matësit nuk duhet të mbeten të pakontrolluar për 7 vite, ndërsa qytetarët të paguajnë fatura të pasakta! Do të vendoset kontroll i rreptë dhe çdo ankesë do të ketë ku të raportohet. Një trup i pavarur shtetëror do t’i shqyrtojë të gjitha ankesat në mënyrë të drejtë dhe transparente! Parregullsitë nuk do të tolerohen, shteti qëndron në mbrojtje të qytetarëve!”, ka shkruar Mexhiti.