Mexhiti me të rinjtë e Çairit: Rinia nuk pret më, ajo vepron, krijon dhe sfidon

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka zhvilluar një takim me të rinjtë e Çairit, nga ku ka ndarë përshtypjet dhe angazhimin e qeverisë për mbështetjen e brezit të ri.
“Sot, me rininë e Çairit. Energjia, idetë dhe guximi i tyre janë frymëzimi më i madh për çdo hap që hedhim përpara,” u shpreh Mexhiti në një postim në rrjetet sociale.
Ai theksoi se rinia shqiptare në Maqedoninë e Veriut kërkon hapësirë, mbështetje dhe besim – dhe këtë do ta ketë.
“Rinia nuk pret më, por vepron, krijon, sfidon dhe kërkon vendin e saj në këtë shoqëri. Puna për ta nuk ndalet. Sepse ata janë zëri që po rritet, dhe që nuk mund të anashkalohet më,” tha ai.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat dhe mundësitë që ka rinia – në arsim, punësim, përfshirje në vendimmarrje, si dhe për nevojën për hapësira rinore.
Mexhiti renditi disa nga masat konkrete që tashmë janë ndërmarrë:
Vauçerë për mbi 55 mijë studentë për pajisje teknologjike;
Ndërtimi i kampusit të ri për Universitetin “Nënë Tereza”, një nga investimet më të mëdha në arsim;
Mbështetje financiare për universitetet, përfshirë Universitetin e Evropës Juglindore;
Plani Aksional për Punësim, që fuqizon të rinjtë për biznese dhe karriera të reja;
Ligji për punësim sezonal të studentëve dhe nxënësve, pa humbur të drejtën e bursës;
Fuqizimi i arsimit dual në bashkëpunim me qindra kompani për trajnim praktik;
Investime në shkolla moderne, qendra rinore, biblioteka dhe pishina publike;
Ndërtim dhe rikonstruktim të fushave sportive në çdo vendbanim;
Mbyllja e qindra kazinove online, si masë për mbrojtjen e të rinjve nga varësitë.
“Rinia është këtu. Edhe përkrahja është këtu. Dhe ne do të vazhdojmë bashkë,” përfundon mesazhin e tij Mexhiti.