Mexhiti: Faza e dytë e projektit më të madh për mbeturinat nis me 2 milionë euro grant nga BERZH

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit, Izet Mexhiti, ka njoftuar sot nisjen e fazës së dytë të projektit më të madh ndonjëherë për menaxhimin e mbetjeve në Maqedoninë e Veriut, me një grant të ri prej 2 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në kuadër të një pakete investuese që arrin deri në 90 milionë euro.
Pas zbatimit të suksesshëm të fazës së parë në rajonet e Pollogut, Jugperëndimit dhe Pellagonisë, projekti hyn tani në një etapë të re që do të fokusohet në rajonin e Vardarit dhe Juglindjes.
Faza e re përfshin:
-
Ndërtimin e deponive sanitare sipas standardeve më të larta evropiane,
-
Krijimin e stacioneve moderne për transferimin e mbetjeve,
-
Furnizimin me automjete dhe mekanizma efikas për mbledhjen dhe transportin,
-
Mbylljen dhe rehabilitimin e deponive ilegale që kanë qenë rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik.
“Ky është një model i ri për menaxhimin e mbetjeve, një qasje që ofron zgjidhje afatgjata, të strukturuara dhe të barabarta për të gjitha rajonet,” theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se investimi në menaxhimin e mbetjeve nuk është vetëm një projekt mjedisor, por një investim për shëndetin publik dhe për të ardhmen evropiane të vendit, duke vendosur një standard të ri në shërbimet publike, aty ku deri më tani kishte vetëm improvizim dhe kaos.