Mexhiti: Diaspora ndërtoi vendin, BDI ia fshiu emrin!

Zëvendëskryeministri dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj BDI-së në lidhje me manipulimin e të dhënave të regjistrimit të vitit 2021 dhe moskoordinimin me rezultatet elektorale.
“Nëse për banorët e Gërçecit kanë një version – që i kanë shpërngulur në fshatrat përreth, atëherë le të na shpjegojnë ku i kanë shpërngulur banorët e Reçicës së Vogël?”, shkruan Mexhiti në një status të publikuar në rrjete sociale.
Sipas tij, të dhënat e regjistrimit flasin për vetëm 1.653 shqiptarë mbi moshën 18 vjeç në Reçicë të Vogël, ndërkohë që në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar janë numëruar 2.402 vota për partitë shqiptare në këtë vendbanim.
Mexhiti nënvizon: “Nëse pa analizuar ata që nuk kanë dalë në votime dhe pa përfshirë të rinjtë nën 18 vjeç, në Reçicë mungojnë 800 banorë. E nëse shtojmë edhe ata që nuk kanë votuar dhe ata nën moshë, del se mbi 3.500 banorë nuk figurojnë të regjistruar”.
Zëvendëskryeministri i drejtohet retorikisht BDI-së: “A do të thotë BDI se në zgjedhje kanë votuar i madh e i vogël? Apo që kanë votuar mbi 100% e popullsisë? Apo thjesht e kanë zhdukur me laps Reçicën nga statistikat?”
Këto akuza vijnë në vazhdën e zbulimeve të reja që ngrenë dyshime të forta mbi manipulimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, veçanërisht në zonat me shumicë shqiptare, një çështje që koalicioni VLEN e ka vendosur si prioritet për hetim dhe adresim institucional.