Metahorizonti,… “fija që na lidh”

Njeriu i iluminizmit perëndimor, edhe atë me rrënjë paraprijëse që në kohën e mesjetës së racionalistëve Rëne Dekart (Rene Descartes) dhe Xhon Lok (John Lock), nxiti një pikënisje për të ndarë e shkëputur shoqërinë, shtetin, nga kisha, përkatësisht nga klerët e kishave… me interpretim të gabuar të postulateve profetike,… edhe atë… nëpërmes luftërave dhe revolucioneve të përgjakshme reformatore, madje dhe fetare, pra jo vetëm iluministe, me përpjekje të pandërprerë më vonë krijoi shekullarizmin si një fe e re, religjion i ri, i rendit shoqëror.

Driton DEMIRI, Gostivar

Si një paravazhdim, me një ritëm të ri, një qasje të re, pa asnjë kthesë e me dedikim, për t’i marrë gjërat me radhë, në një valëzim të një kohe shumë të vështirë, për të mbetur njeriu normal, ndërkohë që dielli lëviz në harkun e tij, në mes të ngjarjeve dhe politikës botërore, një e tashme e trazuar edhe pse me përplot ngjyra, por asgjë e bukur. Natyrisht, një dardhë nuk prodhon (jep) asnjëherë një mollë ose, ndryshe, siç thuhet mos t’i përziejmë dardhat me mollë… disa gjëra janë thjesht të papajtueshme, ato nuk mund të krahasohen dhe është e kotë të përpiqemi t’i kombinojmë e t’i ndajmë ato. (Nuk) Mendoj se shko(jmë) të gjithë drejt një fati tragjik, por të një fati të mendjes integrale pa limite të horizontit të njeriut, ku të gjithë i përndjek e kaluara dhe i shpie e ardhmja. Një fat, i cili së bashku me djallin na shikojnë. Cila është e vërteta, këtu e tani? Çfarë po ndryshon në këto kohë të trazuara e të rrezikshme? Kur shihet me sy të pafërkuar e të përgjumur, asgjë… E kur i fërkojmë pak sytë, shihet se në dy skajet po ndodhin dy luftëra pa kompromis e shumë të ashpra, pa diferencë, ku njëra tenton të shfaros, zhduk e shemb nga faqja e dheut gjenin, si në aspektin njerëzor ashtu dhe atë gjeografik, ku Gaza është shndërruar në rastin më ekuivalent me atë çka ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore dhe, ndërkohë, në një shteg tjetër, për (mos) t’iu defokusuar situatës së dhimbshme njëherë dhe të pamëshirë, drejtpërsëdrejti nga aty, të një konflikti të ri, me dronë ushtarakë e raketa, dhe, tjetra e cila tashmë ka kaluar në rastin më me precedent të agresionit, po ashtu si para tetëdhjetë viteve, edhe atë të ndryshimeve të kufijve dhe të së drejtës elementare të vendosjes së një sovrani, në të cilën Europa, për ta apostrofuar, përveçse në të zhvillohet luftë (në mënyrë indirekte gjendet në luftë), ajo gjendet edhe midis çekiçit dhe kudhrës së Rusisë dhe Amerikës, varësisht në ç’prizmë trajtohen çështjet. Skaji i tretë i ka përballë dy dukuritë ekonomike mjaft të lidhura njëra me tjetrën: e para ajo që quhet shrinkflation, e që ka kuptimin e një trick-u (një dredhie) të zvogëlimit të sasisë së prodhimit, duke mbajtur çmime të njëjta ose duke i rritur ato, dhe, tjetra, cheapflation me kuptimin e rritjes së inflacionit nën kornizën e konsumimit të artikujve me çmime të lira, si dhe për ta marrë si kontekst edhe për gjithçka që po ndodh rreth e përqark gjeopolitikës konsiston edhe në kalimin e një gjeopolitike nga një strong diplomacy (diplomaci e fortë), siç ka qenë e qëndruar përpara, në një cheap diplomacy (diplomaci e lirë) të paprecedentë, madje fjala cheap është më tepër fjalë irlandeze sesa angleze, për sqarim më të hollësishëm. Të katërtin skaj gjithmonë e djeg dielli ynë i mirë i përbashkët e i vjetër, ku është e ku nuk është, madje edhe kur gjithçka qëndron nën hije, atje ndriçon, një diell fati që e bën lëkurën e kaftë e të lëmuar. Në këtë sfond rruzullor, në skajin, tashmë, të pestë, atë virtualin, një bitkoin në këtë moment që po shkruajmë kap vlerën e mbi 100 mijë dollarëve. Ose “Chat GPT-ja”, e cila grumbullon informacione, e di kush jemi dhe çka kërkojmë ose shkrepjet e fotografive e videove e të çfarëdo informacioni nëpër mediat sociale që janë pjesë e përditshmërisë së komunikimit virtual për një kohë të gjatë. Dhe sot, ndërsa flasim, bota, shoqëria, njerëzimi, fillon të ndryshojë me hapat e Inteligjencës Artificiale. Gjithçka në të ardhmen, siç shihet e parashikohet, do të varet nga po ajo. Kur ndodhi revolucioni kognitiv, para 70 mijë vjetëve, ndodhi që njeriu e dominoi si revolucionin si natyrën. Revolucioni që po ndodh sot me Inteligjencën Artificiale, druaj, sepse ajo do të dominojë mbi njeriun, ka deklaruar intelektuali dhe shkrimtari shkencor izraelit… Noah Harari… megjithëse… ndërtuar nga vetë njeriu… pa harruar për ta shtuar. E, më në fund, nga e gjithë kjo, herët a vonë, nuk është as gabim e as tepër, për të thënë, ngado t’ia nisim, se teknologjia më e mirë dhe më e përsosur është vetë njeriu.

Duke marrë frymë e duke lënë mënjanë psikologjinë dhe ndjesinë emocionale e shpirtërore, për ta vazhduar këtë shkrim, për gëzimin tim të madh më shkon ndër mend Umberto Eko (Umberto Eco), profesori, shkrimtari dhe, në përgjithësi, intelektuali më i mirë italian i gjysmës së shekullit të kaluar, i cili vendos të shkruaj një kult-roman, të titulluar Emri i trëndafilit (1980), në shikim të parë një melodramë postmoderne e krimeve misterioze, por përveç kësaj edhe një studim i mesjetës dhe interpretimeve të ndryshme të Biblës, i cili roman, ndërsa ka punuar me të, siç përshkruan dhe vetë, kishte një titull tjetër, Abacia[1] e krimitPor e hoqa thotë ai, sepse e ngulit vëmendjen e lexuesit vetëm në intriga policore, pa të drejtë, mund t’i bënte ca hetues të pafat, që gjuajnë histori vetëm me veprim e lëvizje, të binin përmbys mbi një libër që do t’i zhgënjente. Ëndrra ime ishte të titulloja librin Adsoni prej Melku, vazhdon të sqarojë shkrimtari në fund të romanit. Titull mjaft asnjanës, thotë ai,… sepse Adsoni është vetë ai që tregon. Por këtu tek ne, botuesit nuk i kanë qejf emrat e përveçëm,..; Ideja për titullin Emri i trëndafilit më erdhi thuajse rastësisht e më pëlqeu se trëndafili është një figurë simbolike kaq e ngjeshur me kuptime sa thuajse s’ka më asnjë kuptim trëndafili mistik, dhe trëndafili jetoi aq sa jetojnë trëndafilat, lufta e dy trëndafilave, një trëndafil është trëndafil, është trëndafil, është trëndafil, trëndafilkryqat, falë trëndafilave të mrekullueshëm, trëndafili i freskët erëmirë. Kështu lexuesi me të drejtë humbiste gjurmët, nuk mund të zgjidhte një interpretim, edhe po të kapte kuptimet e mundshme nominaliste të vargut të fundit të librit do të kishte arritur tani mu në mbyllje, pasi kishte bërë tashmë kushedi sa zgjidhje. Titulli është që t’i ngatërrojë idetë, jo që t’i verë në rregull si ushtarë, si për fund, sqaron shkrimtari. Si shumë shkrimtarë të mëdhenj, që heshtën e heshtin vetëm para agimit, ashtu dhe Eko-ja na flet e thotë përmes një murgu françeskan anglez, Uiliamit të Baskërvilit, në roman: “…ditën kur do të dalë dikush që të pretendojë të nxjerrë një të vërtetë edhe nga ëndrrat tona, atëherë vërtet që do të jenë pranë ditët e Antikrishtit …”… apo të Dexhallit (Dajjal), siç e njeh eskatologjia islame. Me një zgjuarsi të një objektiviteti të rrallë hershëm, Eko-ja na shpie në një përmbushje të përbotshme të një mendjeje gjithmonë në kërkim, se për të vërtetën pikëpamja e njeriut gjithnjë duhet dyshuar, dyshime ato në mendim të vetë jetës. Uiliami, ky murg i mençur, kupton se abacia e mesjetës së alpeve, e harruar përjetësisht në mjegull, fsheh shumë sekrete të krimeve që janë ruajtur me kokëfortësi për shekuj me radhë. Ai, po ashtu, edhe pse murg, ka dyshime për ekzistencën e Zotit, porse zemra e tij është e mbushur plot dashuri e mirëkuptim. Dhe, ç’ është tjetër Zoti, përveçse tolerancë, mëshirë e dashuri?! Siç ka thënë një thënie e lashtë: dashuri e vërtetë do të thotë kur të shohësh fytyrën e Zotit (cituar nga Viktor Hygo tek “Të Mjerët”).

Si e(i) thamë ujin/burimet dhe e fshimë, e rrafshuam relievin dhe përsëri nuk jemi në Çikago?! Përderisa dronët dhe flakët nuk na përfshijnë edhe neve “…Vetëm një gjë ka rëndësi, një gjë; të jesh në gjendje të guxosh!” – ka thënë Dostojevski. Ja një mendim. Po t’ia nisi nga ndodhi më të vogla për të ngatërruar për pak rreshta idenë bazuar në të dhënë, jo në anekdotë, mbase mendimet gjithnjë duhet bazuar në të dhëna, e jo në anekdota. Një kompani japoneze e akulloreve Akagi Nyugyo në vitin 2016 kërkoi falje që rriti çmimet e tyre me vetëm nëntë cent (10 yen japonez)  nga 60 në 70 yen, pas 25 vitesh (që nga viti 1991) që i mbajti ato të njëjta. Jo nëntë dollarë. Jo nëntë për qind. Por vetëm nëntë cent. Dhe ata u ndien keq për këtë, ndonëse rritja e çmimit prej nëntë centësh nuk iu dukën shumë konsumatorëve. Tani për tani, në një botë ku shumica e kompanive kërkojnë vazhdimisht mënyra për të rritur çmimet, për të shkurtuar kostot dhe për të shtrydhur (kërkuar) më shumë fitim, ky është një lloj i rrallë integriteti. Imagjinoni, nëse më shumë biznese do t’i trajtonin klientët, konsumatorët me atë lloj respekti. Dhe e gjithë kjo si në prapaskenë kishte prejardhjen në përpjekjet e Japonisë për të gjeneruar inflacion dhe për të nxitur ekonominë e ngadaltë të vendit. Në këso lloj përmbajtjesh speciale (të veçanta) ndodh ndonjëherë të godasim murin… jo me kokë…, por me çekiç…. Mbase ky veprim nuk duhet të jetë e të ketë ndonjë gabim. Dhe, nëse ka diçka që nuk është në rregull, lutem që duhet të shkruhet, reagohet dhe çohet fjalë që murit t’i biem kohë pas kohe edhe me kokë. Braktisja nga fakti, pra, nuk duhet të jetë ndonjë gabim. Dhe, për t’u braktisur nga fakti, tani do të tërhiqem, por do të godas sërish.

Gjithnjë në përmbajtje të veçanta e në vështrim social, çdokush që mendon të mësojë më shumë nga fakti, çështja është se nuk mund t’i ndalojmë kërkimet dhe krijimet e njeriut (zhvillimin shkencor e sidomos atë teknologjik) për atë vendos DIKUSH TJETËR , njeriut që nga ngjizja, për nga natyra, i është lënë nga Perëndia të jetë gjithmonë kërkues e krijues. Ashtu edhe nisi të zhvillohet e përsoset bota njerëzore. Por, ato kërkime dhe zhvillime të idealeve të dijes e të diturisë nga atëherë e në periudhën e zbërthimit racional dhe filozofik të kohës së re, me faktorë kryesor që përfshijnë rënien e autoritetit fetar… siç e përshkruan Veberi (Weber) “largim nga magjia”… ajo shkencë, ajo dituri deri në ditët e sotme, aq sa ka ndryshuar botën, që ka arritur fazën e saj më të lartë të zhvillimit, nuk ka evoluar veten e ndër veten dhe sërish kërcënon njerëzimin, nga primitivizmi dhe djallëzimi mendor i njeriut për të sunduar.

Dhe, për t’u kthyer në vështrimin e kësaj kornize… Abacia e mesjetës, ku ndodhin ngjarjet e romanit të Eko-s, nga ana e tij, është një abaci tipike e kohës fashiste të inkuizicionit në botën krishtere në mesjetë…, e gjitha ajo e përshkruar me kujdes e finesë në realitetin e përditshëm dhe të kaluarës në jetëgjatësinë e saj është njëkohësisht edhe një pasqyrim alegorik i një shoqërie, i një shteti totalitar…, duke lënë shumë vuajtje, vrasje, përgjakje, djegie, zvarritje dhe mjerim mespërmes metodave vetvetiu shekullare të klerikalizmit kishtar; njëjtë si iu është bërë persekutimi në kohën e Neronit, perandorit romak, të krishterëve të antikitetit, ashtu siç ishte edhe komunizmi një sistem i pashpresë me statistika e krime pa fund… dhe pa tentuar të mërzis lexuesin… për të nënvizuar edhe të tjera “izma”, si: nacionalizmi, socializmi, nazizmi, marksizmi, leninizmi, maoizmi, enverizmi, titizmi, totalitarizmi, imperializmi, autoritarizmi, autokratizmi, hegjemonizmi, anarkizmi, sionizmi, sorosizmi, ekstremizmi, sektizmi, radikalizmi, madje duke kaluar deri tek emërtimet, si: paranojizmi, çmendurizmi e kretenizmi, si dhe gjenocidizmi, dronizmi, raketizmi i kohës të cilët marrë për bazë njëherësh në një përmbledhje u takojnë ideve utopike shekullare dhe laike, në emër të së cilëve janë vrarë dhe zhdukur nga faqja e dheut miliona e miliona njerëz dhe vazhdojnë të vriten dhjetëra e dhjetëra mijë.

Edhe pse nuk është aspak e rëndësishme si ndihem në këto momente, vij në konstatimin e duhur se pas dy shekujsh të atij zbërthimi dhe ndryshimeve të shumta iluministe, në shoqëritë totalitare të shekullit të 20-të dukuria shoqërore e partisë-shtet me metoda të mprehta, edhe më të pabesa, u shndërrua në atë gjendje që t’ia imponojë jetës së njerëzve një përvojë e shkallë absurde të idhujtarisë. Këto ideologji të caktuara politike të partisë-shtet, sidomos të tilla si fashizmi dhe komunizmi, morën karakteristikat e feve tradicionale. Ato krijuan mitet, ritualet, simbolet e tyre dhe një ndjenjë përkatësie, duke ofruar një botëkuptim totalizues (të një pushteti tërësor, absolut) dhe duke kërkuar përkushtim të plotë nga ithtarët (përndjekësit) e tyre. Ato i përdorën këto mjete për t’i mobilizuar njerëzit, për të legjitimuar pushtetin e tyre dhe për të krijuar një ndjenjë shumë të ngjashme me fetë tradicionale. Idenë e këtyre feve politike na e tregon (përshkruan) një profesor tjetër italian, historiani Emilio Xhentile (Emilio Gentile) krejtësisht në mënyrë tjetër nga alegoria e romanit të Eko-s, me atë të studimit, nëpër një ecuri hulumtimi në librin e tij “Fetë e politikës: mes demokracive dhe totalitarizmave… i cili vë në pah se ato u zhvilluan në përgjigje të disa tendencave historike. Rënies së autoritetit tradicional fetar dhe rritjes së nacionalizmit dhe ideologjive fashiste, naziste dhe komuniste të cilat krijuan një boshllëk në besim e fe”. Këto ideologji hynë në lojë me qëllim për ta mbushur këtë boshllëk, duke ofruar një ndjenjë të re sakralizimi (shenjtërimi). Shkatërrimin që e solli Lufta e Parë Botërore dhe trazirat pasuese sociale dhe ekonomike në Europë nxitën më tej rritjen e këtyre lëvizjeve, duke pasuar edhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas…, sidomos komunizmi, që përlau Europën Lindore. Ato premtuan “rend, stabilitet dhe një të ardhme të lavdishme”, duke përdorur propagandën, ritualet dhe simbolet, për të krijuar një ndjenjë identiteti kolektiv dhe për të frymëzuar përkushtim të zjarrtë ndaj ideologjisë politike që theksonte pushtetin e plotë dhe të pakufizuar. Këto lëvizje ishin në gjendje të mobilizonin mbështetjen masive dhe të fitonin pushtet, duke imituar praktikat fetare (me asgjë profetike) me kult të individit për t’i shtypur liritë e njeriut. Mirëpo, në libër, Xhentile (Gentile) regjistron edhe fenë civile (fenë qytetare) me origjinë të kapitullit të tetë (libri i katërt) të veprës së filozofit dhe shkrimtarit më me ndikim të kalimeve iluministe në Francë e Europë në shekullin e 18-të… Ruso (Rousseau)…, Kontrata Sociale (1762), e cila në kuptimin më të gjerë do të thotë “pranimi i vërtetë i realitetit universal dhe transcendental” si një pjesë integrale e përvojës së gjallë politike të shoqërisë. Parimet themelore të fesë civile, sipas kësaj Kontrate, në një shoqëri ideale të organizuar do të ishin: respekti për Zotin, besimi pas vdekjes, shpërblimi i virtytit, ndëshkimi i vesit, si dhe theksi në tolerancën fetare, parime këto të përgjithshme fetare që duhet të ishin baza e vlerave dhe besimeve civile për të ndërtuar një shoqëri të drejtë njerëzish të barabartë. Mbase njeriu i iluminizmit perëndimor, edhe atë me rrënjë paraprijëse që në kohën e mesjetës së racionalistëve Rëne Dekart (Rene Descartes) dhe Xhon Lok (John Lock), nxiti një pikënisje për të ndarë e shkëputur shoqërinë, shtetin, nga kisha, përkatësisht nga klerët e kishave… me interpretim të gabuar të postulateve profetike,… edhe atë… nëpërmes luftërave dhe revolucioneve të përgjakshme reformatore, madje dhe fetare, pra jo vetëm iluministe, me përpjekje të pandërprerë më vonë krijoi shekullarizmin si një fe e re, religjion i ri, i rendit shoqëror. A janë të paprekshme dhe a janë të drejta gjithë ato zhvillime e rrjedhoja, gjithë ato lëvizje të etura të intuitës së njeriut… dhe pse të gjitha ndodhin në botën perëndimore, kjo është një shtrirje shqyrtimi pa ndonjë revoltë dhe punimi i një niveli tjetër që kërkon më shumë përpjekje, konsideratë e përkushtim…

Meqenëse, në një formë tjetër, “magjia” po ndodh dhe tani, për t’iu referuar asaj se çka ka thënë Veberi (Weber), cila ka qenë e kaluara dhe cila është e ardhmja për ne shqiptarët,…sa të gatshëm jemi të prodhojmë versionin tonë të shekullarizmit? Përgjigjja më e mirë e kësaj pikëpyetjeje është se ndodh një gjë shumë e mirë, ndërsa ne… shqiptarët… nuk po përpiqemi të kalojmë asnjë kufi të ndonjë skenari të komplikuar. Më mirë të jemi Sokrat-ë të pakënaqur sesa budallenj të kënaqur. Ashtu deri më tani i qëndrojmë sipërfaqes së bindjeve dhe komandave tona, të “këndshme” dhe në të njëjtën kohë rigoroze pa një entuziazëm e romantikë të veçuar. Në këtë kontekst, begatia edhe më e madhe për të përparuar është t’i zbulojmë sa më parë që është e mundur të fshehtat e fundamentalizmit shekullar të demokracisë hegjemoniste dhe të individëve brendapërbrenda asaj “demokracie” . Të gjitha ato trazira të luftërave, konflikteve, veprimeve dhe ndërhyrjeve ushtarake aktuale botërore më absurdet e historisë njerëzore, pas një kohe relativisht të gjatë, ndodhin pikërisht si shkas i këtij lloji të shekullarizmit dhe se krimet njerëzore vijnë përherë nga ato propaganda (pa zbatim të rregullave profetike fetare në praktikën e udhëheqësve gjeopolitik) për ta ripërsëritur, duke shkaktuar shkatërrime infrastrukturore, vuajtje e vrasje të njerëzve as borxhlinj as të fajshëm. Historia dhe demografia jonë shekullare, edhe pse është mjaft komplekse, ajo po ashtu është dhe unike. Në përgjithësi, si komb, si shoqëri e fe civile jemi të hapur për ta përshtatur shekullarizimin tonë sipas kontekstit specifik, për ta prodhuar versionin vetanak, e që është se nuk synojmë domosdo t’i bëjmë saktësisht një “copy-paste” modelit të shekullarizmit amerikan[2] ose laicizmit francez[3] , ose çfarëdo ideologjie tjetër futur në këtë kontekst. Mbase duhet thënë pak më troç se nuk jemi aq të shkëputur sa modeli amerikan i shekullarimit dhe nuk e zbatojmë aq rreptësisht laicitetin francez, duke anuar në një model që vë balancën e lirisë fetare dhe neutralitetit publik. Ndryshe, ekziston një theks i fortë në lirinë dhe tolerancën fetare, por edhe njohje e rëndësisë së fesë në shoqëri. Çdoherë, që nga larmia fetare gjatë Perandorisë Osmane, me myslimanë, të krishterë, dhe të tjerë që bashkëjetonin, e deri te evoluimi i përqafimit të një forme më të moderuar të shekullarizmit, duke garantuar lirinë fetare dhe duke promovuar tolerancën, pas formës laike nga fillimi i kombëtarizimit, si dhe asaj të rreptë shekullare që e zbatoi regjimi i internacionales komuniste, qëllimi ka qenë të vendoset një normë ekuilibri për të funksionuar si një shoqëri e larmishme, ku besimet e ndryshme fetare mund të bashkëjetojnë në paqe. Por, nuk mjafton vetëm kjo. Asnjëherë shqiptarët nuk duhet të lejojnë që as faktorë historikë e as ato politikë, si dhe as interpretimet e ndryshme të doktrinave fetare, me tendencë të disa rasteve sporadike pa kokë e bisht, të çojnë në ngacmime ose mosmarrëveshje për të krijuar tensione. Vetëm dialogu dhe bashkëpunimi ndërfetar nxit mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore. Modeli i shekullarizmit shqiptar duhet të vazhdojë ta luajë rolin e bashkimit të një kombi heterogjen në besime e fe, duke promovuar dhe barazuar lirinë fetare. Të ndihmojë në krijimin gjithëpërfshirës të një ndjenje uniteti dhe identiteti të përbashkët midis shqiptarëve, pavarësisht nga bindjet e tyre fetare. Të përqendrohet në çështjet që prekin të gjithë, siç janë shkenca dhe arsimi “avangard”, kujdesi shëndetësor cilësor, kultura dhe mentalitetit i jetës shoqërore-politike me logjikë të shëndoshë afreske, si dhe në zhvillimin ekonomik të avancuar me ekonomi më të konkurruar për të kontribuar në kohezionin shoqëror dhe përparimin kombëtar. Marrë në përgjithësi, të jetë një model i forcës pozitive në ndërtimin e një kombi më gjithëpërfshirës dhe të begatë… 

Për respekt ndaj të së vërtetës, nuk e kam pasur për të menduar;… të ilustroj… e ta luaj rolin e një intelektuali, publicisti e shpikësi brilant që shkarkon mendjen për të krijuar avatarët. Titulli i këtij shkrimi, për t’iu përshtatur temës së këtij muaji, mund të merrte emrin edhe “Sinergjia e shekullarizimit dhe laicizmit” ose edhe: Nacionalizmi Kundrejt Shekullarizmit, Më afër shkullarizmit amerikan apo laicizmi francez, Shekullarizmi dhe ridizajnimi i Rendit të Ri Botëror, Fashizmi dhe Komunizmi më tej… Shqiptarët dhe shekullarizmi, Shekullarizmit në kontekstin shqiptar, Modeli dhe “Versioni shqiptar i shekullarizmit” ose disa të tjerë, si: Sakralizimi i demokracisë, madje edhe Feja e re, Deti dhe horizonti, Uji në shkretëtirë, janë shumë, një mori e titujve…pavarësisht… qëllimi ishte të mbaj vëmendjen e lexuesit deri në fund vetëm tek një aspekt i subjektit…, sepse sado që të përpiqet njeriu t’i zëvendësojë ligjet metafizike via hyjnore me ligjet shekullare a laike,… prapëseprapë Metahorizonti është fija që gjithçka lidh,… si ditën me natën, ujin me tokën, muzgun dhe diellin, njëherazi, me hyjplimet që formojnë figura dhe vija kaligrafike në gjithësi. Ndërsa përmbajtja në brendi mund të ishte se shekullarizmi në thelb u krijua (zbulua) në kohën e kalimit nga pushtetit klerikal kishtar në atë Iluminist me rrënjë filozofike drejt arsyes dhe të drejtave individuale. Ose, se shekullarizmi dhe laicizmi shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë, si Vëllezërit Karamazov, që hapin komunikimin midis Lindjes dhe Perëndimit, por ekziston ndryshim, dallim delikat, si   një muzikë tingëlluese e një stili pak sa të çuditshëm “techno-rock-opera”. Titulli, për ta përfshirë, që me siguri aty është dhe mund të jetë kërshëria, nuk është emërtim futurist, është vetëm një rikujtesë e së vërtetës. E vërtetë është se njerëzit shohin botën ashtu si shohin veten, siç ka thënë Kant-i (Immanuel Kant). Por, për ta përvetësuar një citat, i cili për grimë është thënë pak më ndryshe se, nëse Biblën dhe Kuranin i trajtojmë si dokumente historike,… për të shtuar… nga cila do anë të tentojmë,… vetëm atëherë, jemi qesharakë! Tani e tutje do të shohim cili është angazhimi dhe diskutimi, e cila është tema jonë (e vërtetë).x

[1] Abacia-manastir kishtar

[2] (…thekson një “mur ndarës” midis shtetit dhe kishës, që do të thotë se shteti nuk duhet të krijojë një fe ose të ndërhyjë në praktikat fetare. Vlerëson lirinë fetare dhe mbron të drejtat e individëve për të praktikuar besimin e tyre pa ndërhyrjen e shtetit)

[3] (…që synon një neutralitet më të rreptë, me shtetin që parandalon në mënyrë aktive ndikimin fetar në jetën publike, me qëllim të krijimit të një sfere publike vërtet neutrale, e lirë nga çdo ndikim fetar)

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button