Mësoi artin e kaligrafisë në Turqi, hapi punëtori në Çarshinë e Vjetër të Shkupit
Punëtoria e artit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit tashmë një vit e gjysmë është pikë e veçantë e vizitave turistike dhe dashamirësve lokal të arteve të bukura dhe në veçanti të kaligrafisë.
Duke folur për Anadolu, kaligrafistja dhe piktorja nga Shkupi, Semra Rashiti, tregoi rrugëtimin e saj në sferën e artit, mësimit të kaligrafisë turko-arabe dhe gjuhës turke, si dhe për hapjen e punëtorisë së saj në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Turqishten dhe kaligrafinë i mësoi në Institutin Yunus Emre
Rashiti tha se kaligrafinë dhe gjuhën turke i mësoi në Institutin Yunus Emre në Shkup.
“Prej kur kam qenë e vogël kam pas një interes të madh në gjuhën dhe kulturën turke. Me një shëtitje të vogël në Türkiye që kemi pasur me familjen pata rastin të bisedoj turqisht me vendasit e Türkiyes dhe atje zbulova se me të vërtet di turqisht më shumë sesa mendoja. Më pas shoqëria më njoftoi se ekziston Instituti Yunus Emre në Shkup dhe vendosa të mësoj aty turqishten më thellësisht me gramatikën e saj”, shpjegoi Rashiti.
“Instituti Yunus Emre çdo vit ka organizuar shëtitje një muaj në Türkiye sikur shkollë verore. Unë pata mundësinë ta fitoj këtë, të shkoj në shkollën verore. Në shkollën verore, përveç që kemi mësuar gjuhen turke, vallëzimet tradicionale, i kemi mësuar edhe disa arte turke. Pata mundësinë që artet që i kam mësuar në shkollën verore këtu në Shkup, t’i shpreh në një formë tjetër, diturinë që e kam marrë atje”, tha ajo.
Më tej, kaligrafistja Rashiti potencoi interesin e turistëve rreth punëtorisë dhe artit të saj.
“Siç e dimë, ka shumë turistë prej Türkiyes dhe kur shohin se në atelien time përveç gjërave në shitje ekziston edhe arti turk… në artin turk merr pjesë kaligrafia, kaligrafia arabe, vizatimi në dru, vizatimi në xham dhe vizatimi në dorë dhe ata thonë se kjo është diçka që nuk e kemi parë gjatë shëtitjes sonë në Çarshinë e Shkupit dhe japin komente të mira”, thotë Rashiti.
“Kur më mbaruan letrat fillova të pikturoj nëpër mure”
Rashiti tregon se dëshira e saj për artin ka filluar qysh e vogël dhe se ajo është angazhuar në pikturë dhe arte të tjera të ndryshme. Ajo këtë dashuri për artin e përshkruan me një fjali duke u shprehur se, “Kur më mbaruan letrat fillova të pikturoj edhe nëpër mure”.
Artistja Rashiti është e talentuar në disa lloje të arteve lindore dhe perëndimore, siç janë kaligrafia me shkronja latine, kaligrafia arabe me disa lloje të saj, piktura me djegien e drurit, piktura në xham e piktura murale.
Në mesazhin e saj për publikun, ajo thekson se njerëzit duhet t’i ndjekin pasionet e tyre pavarësisht gjykimeve dhe tabuve që i kemi në shoqërinë tonë.