Mesazhi i kryetarit të BFI-së me rastin e Kurban Bajramit

Kryetari i BFI-së, reis Shaqir Fetahu në prag të festës së Kurban Bajramit ju është drejtuar besimtarëve myslimanë me një mesazh.
“Jemi në vigjile të Festës së madhe të Kurban Bajramit, festë kjo që në vete ngërthen tri ngjarje të rëndësishme që drejtuan botën drejt rrugëtimit të drejtë të njerëzimit: Në këto ditë përfundoi shpallja e Kura’anit Famëlartë, me të cilin njëherë e përgjithmonë u dhanë konceptet hyjnore mbi Zotin, njeriun dhe shoqërinë; në këto ditë kryhet kushti i pestë Haxhi në Mekken fisnike, në Qa’be, Arafat, Mine, Muzdelife dhe shumë obligime tjera; pjestarët e Islamit në të gjithë botën kryejnë obligimin e therrjes së kurbanëve duke u inspiruar nga Ibrahimi a.s. dhe Muhamedi a.s.
Të gjitha këto porosi hyjnore nga i Madhi Zot i japin vlerë të lartë festës së madhe të Kurban Bajramit”, ka shkruar Fetahu në mesazhin e tij.
Ai ka shkruar se, kjo festë paraqet lidhshmëri me Zotin e Plotfuqishëm, përkushtim ndaj porosive të tij, edukim i shpirtit për sakrificë në vepra të mira, vetëdije për njeriun si vepër më madhore e Zotit, inspirim dhe gatishmëri për ngritjen e jetës, vlerave, humanitetit, barazisë, paqës, tolarancës në mes njerëzve.
“Në fund, kam nderë të veçantë që në emër të BFI e RMV – së, të gjith besimtarëve në vend dhe jasht vendit t’ju shprehi urimet më të përzemërta me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, duke ju lutur Allahut Fuqiplotë që t’i pranojë lutjet tona, bamirësitë tona, kurbanët tanë, haxhin e të gjithë haxhilerëve që po kryejnë haxhin në vendet e shenjta, të gjitha ibadet tona të cilat i bëjmë në këtë festë të madhe.
Urime dhe me hajr na qoftë festa e Kurban Bajramit.
Allahu ju bekoftë!
Esselamu alejkum ve rahmetullahi Teala ve berekatuhu!
Paqeja, mëshira dhe begatitë e të Madhit Zot qofshin mbi ju!”, përfundon mesazhin Fetahu.