Merjemja 9-vjeçare nga Gaza: Si ishte, si u katandis

Merjem Abdulaziz Mahmud Davas, një vajzë 9-vjeçare nga Qyteti i Gazës, është bërë simbol i tragjedisë humanitare që po zhvillohet në enklavën palestineze si pasojë e sulmeve të pandërprera izraelite dhe bllokadës së ndihmave, pasi aktualisht nuk mund të ecë për shkak të problemeve të lindura nga kequshqyerja, raporton Anadolu.

Ajo dhe familja e saj janë strehuar në një qendër për të zhvendosurit në qendër të qytetit pasi kanë humbur shtëpinë në bombardime.

Merjemja peshonte 25 kilogramë para ofensivës, por për shkak të mungesës së ushqimit dhe kushteve të vështira, pesha e saj ka rënë në vetëm 10 kilogramë. Mjekët në spitalin lokal, pas analizave të kryera, konfirmuan se ajo nuk vuan nga ndonjë sëmundje organike, por se gjendja e saj është pasojë direkte e urisë dhe mungesës totale të ushqimit të mjaftueshëm.

Familja e Merjemes i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ajo të evakuohet urgjentisht për trajtim jashtë Gazës dhe të sigurohet ushqim i përshtatshëm për mbijetesën e saj.

Ndërkohë, situata në Rripin e Gazës vazhdon të përkeqësohet për shkak të bllokadës, me mijëra fëmijë në rrezik të ngjashëm.

Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës prej 18 vitesh dhe që nga 2 marsi ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për 2,4 milionë banorët e enklavës palestineze.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që nga 7 tetori 2023, të paktën 154 palestinezë, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë urie.

Të hënën, grupet izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në enklavë. /AA/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button