Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Entit Shtetëror të Statistikave dhe Drejtorisë së Doganave
Enti Shtetëror i Statistikave do t’i shkarkojë në mënyrë elektronike të dhënat e tregtisë së jashtme nga Drejtoria doganore. Këtë e përcakton Memorandumi për bashkëpunim, të cilin e kanë nënshkruar drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Dejan Stankov dhe drejtori i Drejtorisë doganore, Boban Nikollovski.
“Shkarkimi i të dhënave nga Drejtoria doganore përmes ueb shërbimeve është veçanërisht i rëndësishëm për sigurimin e afateve kohore dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe për harmonizimin, modernizimin dhe përmirësimin e mëtejmë të sistemeve”, theksoi Stankov.
Stankov shtoi se institucioni po bën përpjekje për digjitalizimin e proceseve dhe rritjen e shfrytëzimit të burimeve administrative në prodhimin e të dhënave zyrtare statistikore, njofton ESHS.
Memorandumi synon të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional përmes shkëmbimit të të dhënave dhe një shkallë më të lartë dixhitalizimi.
“Drejtoria doganore është e përkushtuar ndaj procesit të promovimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, i cili në fund duhet të na mundësojë të krijojmë rritje të qëndrueshme ekonomike. Një hap i tillë është vetëm një pjesë e angazhimit tonë për veprim të përbashkët në drejtim të përmirësimit të kushteve për të bërë biznes. Të dhënat që i ofrojmë në fushën e tregtisë së jashtme i mundësojnë kompanive të bëjnë hulumtime të tregut dhe të definojnë strategjitë e tyre, për studime ekonomike, por edhe për promovimin e politikave tregtare në nivel shtetëror”, tha drejtori i Drejtorisë doganore, Boban Nikollovski.
Të dyja palët, thuhet në njoftim, kanë shprehur përkushtimin e tyre për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, dhe nënshkrimi i Memorandumit forcon dhe përmirëson praktikat tashmë të krijuara të shkëmbimit të informacionit dhe të dhënave.